Kandidati i Degës së PDK-së për kryetar të Drenasit, Driton Ajazi, ka thënë se kandidimi i tij ka ardhur pas një mbledhje të rregullt të degës së kësaj partie.
Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kryetari aktual Ramiz Lladrovci e kishte shpallur vetveten kandidat për kryetar, ndonëse nuk e ka pasur mbështetjen e degës.
Ai ka thënë se sot edhe zyrtarisht Dega në Drenas e ka dërguar emrin e tij në Kryesinë e Partisë.
“Strukturat e PDK-së, përfshirë e dhe mua kemi qenë pjesë e ekipit gjatë fushatës edhe asaj komunale për Lladrovcin dhe kemi arritur të dalim fitues. Me zgjedhjen e tij në mandatin e rregullt filloi distancimin nga strukturat e partisë së degës në Drenas dhe ka vepruar në interes të tij. Ai ka bërë pazare me partitë opozitare, ka blerë asamblistë, që t’i kalojë disa pika që janë në interes të grupeve të caktuara”, ka thënë ai.