2 perditesime
23:22

Arifi: Shpend Ahmeti ka dështuar në implementimin e premtimeve zgjedhore

Qëndrim Arifi, hulumtues në organizatën INPO, thotë se bazuar në monitorimet e organizatës së tij, del se kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti nuk ka realizuar as gjysmën e premtimeve zgjedhore të tij.

Arifi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se disa prej premtimeve me karakter më të rëndësishëm që ka dhënë Ahmeti janë ende në fazë fillestare apo nuk kanë nisur fare.

“Z. Ahmeti pati dhënë 100 premtime gjatë fushatës zgjedhore, INPO i ka monitoruar në vazhdimësi këto një nga një, E monitorojmë edhe këtë komunë. Në suaza vjetore zakonisht në shkurt publikojmë raportin, por këtë vit për shkak të fushatës e kemi shty pak, brenda qershorit do të publikohet raporti final. Çfarë të them, z. Ahmeti në çfarëdo matje, qoftë edhe ato më pozitivet nuk ka përmbushur përtej 50 për qind të premtimeve. Premtimet që kishin karakter të rëndësishëm për qytetarët kanë mbetur pa u zhvilluar, apo janë në fazat fillestare të implementimit të tyre”, ka thënë Arifi.

Ai ka cekur premtimet si Spitalin për Prishtinën, pastaj ndërtimin e pesë shkollave, e po ashtu parkingun nëntokësor në Prishtinë.

“E dini edhe ju maratonën e debatit publik për Ligjin për Prishtinën. Ahmeti ka qenë këmbëngulës i madh i këtij ligji, thoshte se mungesa e ligjit po e pengon zhvillimin e Prishtinës. Është miratuar ligji në vitin 2019 dhe pra nga ky ligj ndër përfitimet kryesore është mundësia që Prishtina të ketë Spital të vetin, nuk është bërë as fizibiliteti për këtë Spital. Kemi premtimin për ndërtimin e pesë shkollave dhe ato janë në fazën e prokurimit fillestar, katër vjet të fusësh vetëm në procedura prokurimit. Parkingun nëntokësor e kemi, e dini në cilën fazë është, ende janë gërmimet e dheut. Kolektorin në lagjen Kalabria është për të ardhur keq, është bërë gërmadhë dhe është e rrezikshme si pasojë e ndërprerjes së punimeve, jo kryekëput për fajin e komunës, por fajin e keqplanifikimit të komunës. Dolën probleme pronësore të pakapërcyeshme për aspektin buxhetor. Ahmetit paradoksalisht i teprojnë 30 milionë euro çdo vit. Ka shumë premtime që nuk janë përmbushur”, ka thënë Arifi.

23:09

Arifi: Në Ferizaj janë kryer shumë punë, por problem është mostransparenca në prokurimin publik

Qëndrim Arifi, hulumtues në organizatën INPO, në një intervistë në Interaktiv të KTV-së ka folur për punën e bërë në dy komuna, Ferizaj e Prishtinë.

Sipas tij, kryetari i Ferizajt, Aliu bëri premtime më të vogla gjatë fushatës dhe për këtë vlerësohet se edhe kreu më shumë punë krahasuar me Shpend Ahmetin në Prishtinë.

Arifi tha se problemi më i madh i qeverisjes komunale në Ferizaj është prokurimi publik.

“Kryetari i Ferizajt, Aliu i ka pasur premtimet e vogla dhe performancën e ka pasur më të mirë, ka pasur 39 premtime, premtime klasike, lehte të realizueshme, janë infrastrukturore, nuk ka pasur ndonjë ide, ndonjë politikë zhvillimore, janë zhvilluar kryesisht, por jo të gjitha. Në fakt, ka dal përtej premtimeve, por pa i përmbushur ato që ka premtuar, kemi disa projekte që nuk janë përmendur në fushatë, është gjë e mirë por me kusht që të përmbushen premtime e dhëna. Problemin më të madh e shoh te mungesa e transparencës në prokurimin publik, kemi një lloj rrëmuje, ka një zyrtar, shkon një tjetër, dikush tjetër shkon ë pension, ka një paqëndrueshmëri. Kërkojmë qasje në dokumente publike, por nuk ka një person kujt t’i drejtohemi”, ka thënë Arifi.

23:04

Arifi: Ekziston një traditë e mosmbajtjes së premtimeve nga kryetarët e komunave

Hulumtuesi në Iniciativën për Progres (INPO), Qëndrim Arifi, ka thënë se tek zgjedhjet lokale vërehet mosmbajtje e premtimeve të kryetarëve të cilët arrijnë të zgjedhen.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se shpesh kryetarët e zgjedhur nuk arrijnë të përmbushin premtimet bazë që ua kanë premtuar votuesve.

“Kryesisht ekziston një lloj tradite e mosmbajtjes për fjalët e premtimeve. Kryetarët vetëm japin premtime qoftë reale apo imagjinare, por kur vijnë në pushtet nuk e kanë shumë parimore t’i plotësojnë ato. Janë të gatshëm madje ka raste kur bëjnë premtime krejt jashtë programit qeverisës, ndërsa nuk arrijnë t’i përmbushin disa premtime bazë që është jo e drejtë karshi votuesve sepse besimi i votuesit është arritur nga premtimet që ke premtuar në fushatë”, ka thënë Arifi.

Arifi ka thënë se mospërmbushja e premtimeve më shumë vjen si pasojë e paaftësisë në buxhet dhe aspekte të tjera të cilat pengojnë realizimin e tyre.

"Një përqindje shumë të ulët e kisha lënë tek dëshira, më shumë është paaftësi, por jo gjithmonë është paaftësi profesionale, është paaftësi buxhetore apo aspekte të ndryshme gjatë realizimit të premtimeve. Kemi të bëjmë edhe me premtime imagjinare pasi dihet që buxheti i komunës nuk është i asaj mase që të arrijë ta përmbushë pa ndihmën e ndonjë donatori apo niveli qendror”, ka thënë ai.