Osmani në takim me Palmerin e Lajçakun: Dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje

- 19:17Osmani në takim me Palmerin e Lajçakun: Dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje
- 19:07Kurti mirëpret koordinimin BE-SHBA në prag të rinisjes së dialogut
- 16:43Palmeri e Lajçaku përfundojnë takimin në Presidencë, nisen drejt Kryeministrisë
- 15:35Lajçak dhe Palmer shkojnë në Presidencë
- 13:19Hoxhaj i kërkon Palmerit rol më të madh të SHBA-së në dialog
- 12:55Palmer takohet me Abdixhikun, diskutojnë që SHBA-ja të ketë rol në dialog
- 12:41Palmer e Lajçak pritet të fillojnë takimet me krerët e shtetit pas orës 15:00
- 10:12Palmeri vjen në Kosovë, takohet me ambasadorin Kosnett
- 08:17Lajçak e Palmer në vizitë në Kosovë, të martën u adresohen mediave
Osmani në takim me Palmerin e Lajçakun: Dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu sot gjatë ditës ka zhvilluar takim me zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit amerikan, Matthew Palmer dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Në takim me ta, Osmani njoftohet se ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përqendruara maksimalisht në menaxhimin e pandemisë, zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si prioritete themelore të institucioneve të vendit.
Sa i takon procesit të dialogut me Serbinë, Osmani thuhet se ka ritheksuar qëndrimin e institucioneve se Kosova pret që procesi i dialogut të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve. Ajo ka riperseritur qëndrimin se për Kosovën mbetet thelbësore që në këtë proces të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit. Për më tepër, ajo ka theksuar çështjen e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, si prioritet në këtë proces.
"Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme,” nënvizoi Osmani . Palmer dhe Lajçak, nga ana e tyre, e ritheksuan edhe një herë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ajo po kështu ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në për përkrahjen që u kanë dhënë qytetarëve të Kosovës në këtë kohë të vështirë për të gjithë ne. Ajo ka shprehur mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian për donacionin e vaksinave, dhe shprehu shpresën se edhe SHBA-të do të ndajnë një numër të vaksinave për qytetarët tanë.
Kurti mirëpret koordinimin BE-SHBA në prag të rinisjes së dialogut
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur të rëndësishëm bashkëpunimin dhe koordinimin mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, në prag të siç e ka quajtur ai, procesit të ri të dialogut Kosovë – Serbi.
Sipas njoftimit nga Kryeministria, pas takimit të Kurtit me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zv.ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Matthew Palmer, Kurti ka thënë se ky bashkëpunim është i mirëseardhur, sepse sipas tij, është i domosdoshëm.
“Kryeministri Kurti e vlerësoi të rëndësishëm takimin dhe kohën kur po ndodh ai: në prag të takimit në Bruksel, i paralajmëruar për në mesin e qershorit, pas takimeve me liderët e opozitës dhe para diskutimit në Kuvend për procesin e kaluar të dialogut, marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe nivelin e zbatueshmërisë së tyre”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.
Palmeri e Lajçaku përfundojnë takimin në Presidencë, nisen drejt Kryeministrisë
Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer, kanë përfunduar takimin me presidenten Vjosa Osmani. Pas takimit nuk ka pas konferencë për media.
Të dy bashkë me ekipin janë nisur drejt ndërtesës së Qeverisë ku do të takohen me kryeministrin Albin Kurti.
Lajçak dhe Palmer shkojnë në Presidencë
Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer, kanë shkuar në Presidencën ku pritet të takohen me presidenten Vjosa Osmani.
Në takime të ndara, Lajçak dhe Palmer pritet të takohen edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë.
Hoxhaj i kërkon Palmerit rol më të madh të SHBA-së në dialog
U.d i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm, Uran Ismaili dhe anëtarja e kryesisë, Blerta Deliu-Kodra kanë takuar në Prishtinë zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Mathew Palmer dhe ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philipp Kosnett.
“Në këtë takim është biseduar për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi, pritjet nga ky proces të PDK-së që duhet të përfundojnë me njohjen e ndërsjelltë, rolin opozitar të partisë në jetën politike të vendit si dhe tema të tjera me interes për vendin. Kryetari Hoxhaj ka sqaruar pozicionin e PDK-së në raport me zhvillimet politike, dhe ka kërkuar një rol më të madh dhe të drejtpërdrejt të Shtetetve të Bashkuara të Amerikës në dialog si partner strategjik i Kosovës”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Lista Serbe takohet me Palmerin, bisedojnë për Asociacionin ndër të tjera
Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Mathew Palmer është takuar me delegacionin e Listës Serbe.
Në takim, siç është njoftuar nga Lista Serbe, ishte prezent edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.
Në takim thuhet se është biseduar për situatën politike në Kosovë, për kishën ortodokse, por edhe për situatën e sigurisë.
“Në takim u diskutua për situatën politike në Kosovë, pozicionin e popullit serb, kishën ortodokse serbe, por edhe për situatën e sigurisë. Veçanërisht është theksuar nevoja për të respektuar të drejtuat e popullit serb, por edhe për të vazhduar dialogun Prishtinë – Beograd nën përkujdesjen e BE-së, por në dritën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri tash, kryesisht në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe, energjinë dhe drejtësinë”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe në Facebook.

Palmer takohet me Abdixhikun, diskutojnë që SHBA-ja të ketë rol në dialog
Zëvendësndihmës sekretari i SHBA-së, Mathew Palmer, është takuar me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë ditës së sotme. Përmes një njoftimi nga LDK-ja, Abdixhiku ka falënderuar Palmerin për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
“Kryetari Abdixhiku e falënderoi z. Palmer për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe theksoi se SHBA-ja është partneri më i fuqishëm në të gjithë proceset e konsolidimit dhe zhvillimit të shtetit tonë.Po ashtu, kryetari Abdixhiku e njoftoi z. Palmer për qëndrimet e LDK-së karshi situatës aktuale politike në vend si dhe qëndrimet e LDK-së për procesin e dialogut Kosovë – Serbi. Ndërsa zëvendës ndihmës sekretari i SHBA-së, z. Palmer e falënderoi kryetarin Abdixhiku për konstruktivitetin që LDK-ja ka treguar në formimin e institucioneve”, thuhet në njoftimin e saj.
Palmer e Lajçak pritet të fillojnë takimet me krerët e shtetit pas orës 15:00
Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer, pritet të takohen sot me krerët e institucioneve të Kosovës. KOHA ka mësuar se takimet do nisin nga ora 15:30 dhe përpos që do jenë të ndara, do të zhvillohen me dyer të mbyllura.
Për ardhjen e Palmerit në Kosovë ka njoftuar ambasadori amerikan, Philip Kosnett, i cili ka pritur atë në zyrat e Ambasadës. Kosnett ka Palmer do diskutojë për sfidat, mundësitë dhe çështjet e ngutshme që përballet Kosova.
Palmeri vjen në Kosovë, takohet me ambasadorin Kosnett
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett është takuar me zëvendësndihmës sekretarin e shtetit amerikan, Matthew Palmer, ku ky i fundit erdhi në Kosovë për një vizitë treditore.
Kosnett thotë përmes Twitter se Palmer ka ardhur në Kosovë për të diskutuar me zyrtarët shtetëror për sfidat, mundësitë dhe çështjet e ngutshme që përballet Kosova.
Lajçak e Palmer në vizitë në Kosovë, të martën u adresohen mediave
Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer, do ta vizitojnë Kosovën, ndërsa do të adresohen para mediave të martën më 1 qershor, ka njoftuar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Sipas Zyrës së BE-së në Kosovë, Lajçak do të jetë në Kosovë për vizitë dyditore më 31 maj dhe 1 qershor.
Gjatë kësaj vizite Lajçak e Palmer pritet të kenë takime me presidenten e Kosovë, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Besnik Bislimi dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Po ashtu do të takohen edhe me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë. Sipas Zyrës së BE-së, Lajçak do t’u drejtohet shefave të misioneve të BE-së në Kosovë.
Ndërkohë ata së bashku do t’u drejtohen mediave të martën, më 1 qershor, në orën 10:45, nga zyra e BE-së.
Lajçak e Palmer ishin takuar më 26 maj në Bruksel, ku ndër tjera kishin biseduar edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi./KP

Mot i vranët të dielën, priten reshje bore

Vrasja e Liridona Ademajt, aksion simbolik para gjykatës

Të dielën seancë gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt

KFOR: Pas sulmit në Banjskë, kemi katërfishuar praninë në veri

Krimet e pandëshkuara të luftës

Abazoviq feston fitoren e Partizanit të Beogradit me këngë serbe

98 për qind e fëmijëve që s’dëgjojnë, s’dinë shkrim-lexim pas shkollës së mesme

Osmanaj: Draftstatuti cenon Kushtetutën në disa pika

Serbia rekruton në ushtri edhe të rinj nga veriu i Kosovës

Familjarët i bëjnë thirrje Prokurorisë t’ia lejojnë zhvarrimin e Liridona Ademajt

Vëllai i Liridonës: Dyshojmë se e vranë për të përfituar para nga sigurimi jetësor
