Arbëri

KQZ nis punën në mungesë të 2 anëtarëve, formohen këshillat e përhershme

Descriptive Text

Me përbërjen e re, por jo të plotë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e parë pas betimit të anëtarëve të rinj.

Aty u formuan pesë këshillat e përhershme të komisionit, ndonëse Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që kjo të bëhet pas kompletimit të përbërjes me dy anëtarët e fundit.

“Sa i përket këshillave është me rëndësi që të shihet edhe përvoja e dy anëtarëve të rinj dhe interesimi i tyre se në cilat këshilla kanë dëshirë të marrin pjesë ose për cilat konkurrojnë”, tha Alim Rama, përfaqësues i VV-së në KQZ.

“Planin vjetor të punës duhet ta miratojmë sa më parë në mënyrë që të ecë puna e sekretariatit sepse kështu në këtë gjendje siç jemi edhe në mungesë të dy anëtarëve të KQZ-së dhe nëse e shtyjmë formimin e këshillave e bllokon punën e KQZ-së”, tha Arianit Elshani, përfaqësues i PDK-së në KQZ.

Formimin e këshillave e arsyetoi kryetarja, Valdete Daka, e cila tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për përfaqësimin në komision pritet të zgjasë.

Përbërja e këshillave do të ndryshojë pas kompletimit të anëtarëve.

“Ne nuk mundemi me pas luksin që me na gjet zgjedhjet pa këshilla, do të thotë tek pastaj me fillu me i formu këshillat. Ne këshillat duhet t’i kemi për të funksionuar më tutje. Është çështje kohe kur do të shpallen zgjedhjet lokale”, deklaroi kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka.

Sikur në përbërjen e kaluar, edhe në të renë kanë dominuar përplasjet ndërmjet përfaqësuesve të Vetëvendosjes dhe kryetares Daka.

Presidentja Osmani ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese nëse përfaqësimi në KQZ duhet të jetë në proporcion me fuqinë e subjekteve politike në Kuvend.

Lëvizja Vetëvendosje pretendon se si partia më e madhe në Kuvend i takon mandati tretë në KQZ, kurse PDK-ja kërkon mandatin e dytë.

https://www.koha.net/arberi/272730/perplasje-ne-mbledhje-te-kqz-es-mes-anetareve-te-vv-dhe-kryesueses/