Arbëri

Qeveria mban sekret ekspertët ndërkombëtarë për dialogun me Serbinë

Të fshehtë vazhdon ta mbajë Qeveria e Kosovës angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë në procesin e dialogut. Mosdhënien e informacioneve, Qeveria e ka arsyetuar me ndjeshmërinë e procesit. E angazhimin e ekspertëve të fushave të ndryshme e vlerësojnë të rëndësishëm nga shoqëria civile, por kërkohet kujdes në përzgjedhjen e tyre

Qeveria e Kosovës synon zgjerim të ekipit për dialogun me Serbinë e aty do të përfshijë edhe ekspertë ndërkombëtarë. Një pjesë e tyre do të angazhohen nga ambasadat e vendeve të ndryshme e që janë të përfaqësuara në Kosovë, midis të tjerash ajo e Britanisë, Zvicrës e Hungarisë.

Por, për angazhimin e tyre, ekzekutivi është duke hezituar të japë detaje. E derisa nga Ambasada e Britanisë dhe ajo e Hungarisë nuk kanë pranuar të deklarohen për këtë çështje, ajo e Zvicrës ka kërkuar që pyetjet për këtë temë t’i drejtohen ekzekutivit.

“Kemi pranuar e-mailin e juaj. Për pyetjet e juaja me mirësi kërkojmë që t’i drejtoheni Qeverisë së Kosovës”, shkruhet në përgjigjen e Ambasadës së Zvicrës.

Pyetjeve të KOHËS për angazhimin e këtyre ekspertëve, formën e angazhimit e detyrat e tyre, nuk u është përgjigjur Qeveria. Mosdhënien e informatave, ky institucion e ka arsyetuar me ndjeshmërinë e procesit.

“Për shkak të ndjeshmërisë së procesit nuk mund të ofrojmë më shumë detaje nga ato që tashmë janë bërë publike”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Në anën tjetër, njohës të bisedimeve me Serbinë e vlerësojnë të nevojshëm zgjerimin e ekipit të Kosovës për këtë proces.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Politikave të Ballkanit, ka thënë se në mungesë të ekspertizës së duhur janë bërë edhe gabime në procesin e dialogut. Grupi që drejton Rashiti ka hartuar një projekt në bashkëpunim me Ambasadën e Norvegjisë në kuadër të së cilit në ekipin e Kosovës do të angazhohen ekspertë vendorë.

“Nga defektet e viteve të fundit që kanë ndodhur në procesin e dialogut duke mos pasur njerëz të mjaftueshëm të përfshirë, duke mos pasur ekspertizë të mjaftueshme e që është më e rëndësishmja në mungesë të një memorie institucionale ne si projekt kemi dizajnuar ashtu që kjo ekspertizë të prodhojë diçka e të mbetet brenda institucioneve ashtu që, çka do që ndodh në të ardhmen, të gjitha materialet të jenë aty dhe si të tillë të jenë të shfrytëzueshme për çdo qeveri”, ka thënë Rashiti, derisa ka shtuar se bisedimet me Serbinë janë komplekse për zhvillimin e të cilave vendi ka mungesë të ekspertëve.

“Kosova ka mungesë të njerëzve për tema të caktuara sidomos të çështjeve që ndërlidhen me shtetndërtimin në aspektin ndërkombëtar, pra edhe në zgjidhjen e konflikteve”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, analisti Gurakuç Kuçi ka thënë se institucionet duhet të kenë kujdes në angazhimin e ekspertëve. Sipas tij, është e nevojshme që të përfshihen individë të cilët në politikën e Ballkanit i njohin mendësinë e interesat e popujve në këtë rajon.

“Ekipi duhet të jetë edhe më i larmishëm, sesa që është tani. Duhet të përshihen edhe personat të cilët jodomosdo janë publikë, por kanë një aftësi të duhur që të japin mendimet e tyre dhe gjithsesi këta njerëz duhet që t’i njohin kulturën, psikologjinë e popujve të Ballkanit, psikologjinë e pjesëmarrësve në negociata dhe gjithsesi edhe interesat, sepse përndryshe ne do të dilnim humbës”, thotë Kuçi, i cili beson se në ekip është e nevojshme edhe përfshirja e ekspertëve që vijnë nga vendet jashtë Ballkanit.

Lidhur me angazhimin e ekspertëve e punën që është bërë në këtë drejtim, KOHA ka provuar të marrë përgjigje edhe nga udhëheqja paraprake e ekzekutivit. Por, interesimit për këtë çështje nuk i është përgjigjur ish-kryeministri Avdullah Hoti që nga 12 maji.

Më 22 prill, Qeveria e Kosovës, Ambasada e Norvegjisë e Grupi për Ballkanin kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi nëpërmes të cilit janë caktuar mundësitë për angazhimin e ekspertëve të jashtëm për procesin e dialogut me Serbinë dhe agjendave të tjera që ndërlidhen me dialogun. Në njoftimin për nënshkrimin e këtij memorandumi thuhet se ekspertët e angazhuar “do të ofrojnë ekspertizë, mbështetje profesionale dhe përmbajtjesore për procesin e dialogut, dhe i vihen në dispozicion kryeministrit, kabinetit të tij dhe zëvendëskryeministrit për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog.”. Ekspertët e angazhuar deri më tani janë: Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Robert Muharremi, Muhamet Mustafa, Veton Surroi e Blerim Shala.

Sipas sqarimit të Grupit për Ballkanin, ekspertët nuk do të kenë rol përfaqësues apo udhëheqës në bisedimet me Serbinë.

Që nga zgjedhjet e mbajtura në shkurt, e në bazë të rezultateve të të cilave u konstituuan institucionet rreth një muaj më vonë, nuk është mbajtur ndonjë takim në kuadër të vazhdimit të dialogut me Serbinë. Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për herë të parë për këtë çështje pritet të takohen në muajin qershor.

Takimi Kurti-Vuçiq vjen pas refuzimit të Qeverisë së Kosovës që një takim i tillë të mbahet më 11 maj, ashtu siç ishte paralajmëruar nga Bashkimi Evropian, me arsyetimin se një datë e tillë është përmendur pas koordinimit vetëm me Serbinë e jo edhe me Kosovën.