Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

Picula: Vuçiqi ka frikë, prandaj po i sulmon kundërshtarët duke i lidhur me shqiptarët dhe kroatët

Tonino Picula

Eurodeputeti Tonino Picula ka komentuar sulmet e shpeshta verbale të kandidatit për kryeministër të Serbisë dhe ish-presidentit, Aleksandar Vuçiq, ndaj shqiptarëve dhe kroatëve, duke vlerësuar se retorika e tij tregon nervozizëm në rritje për zgjedhjet në Serbi dhe frikë nga humbja e pushtetit.

Në një intervistë për N1, Picula ka thënë se Vuçiqi po përpiqet të krijojë një ndjenjë kërcënimi përmes mediave që i kontrollon, me qëllim të mobilizimit të votuesve.

“Ai ka frikë nga ajo që mund t’i ndodhë në Serbi. Po përballet me pasiguri të madhe”, ka thënë Picula.

Ai kujtoi se vitet e fundit Vuçiqi ka shpallur shpesh zgjedhje të parakohshme, të cilat i ka fituar rregullisht, pjesërisht edhe për shkak të dobësisë së opozitës. Megjithatë, sipas eurodeputetit, situata aktuale është dukshëm ndryshe.

Picula vlerësoi se presidenti serb po përpiqet t’i delegjitimojë kundërshtarët politikë dhe kritikët duke i lidhur me ata që i paraqet si “armiq të Serbisë”, ku, sipas tij, në retorikën e Vuçiqit më së shpeshti përfshihen shqiptarët dhe kroatët.

“Ai po përpiqet ta konkretizojë mitomaninë e tij të përgjithshme duke përdorur emra konkretë, si Kurti, unë apo dikush tjetër. Po përpiqet të mobilizojë sa më shumë mbështetës, sepse këto zgjedhje mund të kenë pasoja serioze në Serbi”, deklaroi Picula.

Zgjedhjet në Serbi do të mbahen më 25 tetor.