Arbëri

Gresa Caka-Nimani, kryetare e re e Gjykatës Kushtetuese

Gresa Caka-Nimani është zgjedhur kryetare e Gjykatës Kushtetuese, ka bërë të ditur ky institucion, në një komunikatë të shkurtër, ndërsa jepet vetëm edhe informata se kryetarja e re do ta marrë detyrën më 26 qershor 2021, kur edhe i skadon mandati kryetares aktuale, Arta Rama-Hajrizi.

Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese nuk jepet asnjë informatë tjetër për kryetaren e re të zgjedhur e as për procedurën se si është zgjedhur ajo.

Por në web-faqen e Kushtetueses është një biografi e shkurtër e znj. Caka-Nimani, e cila është gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese prej 30 dhjetorit 2015.

Në biografinë e postuar në faqen e Gjykatës Kushtetuese thuhet se deri në emërimin e saj si gjyqtare znj. Caka-Nimani ka punuar në USAID. Aty po ashtu thuhet se në të kaluarën Caka-Nimani ka qenë pjesëmarrëse në grupe të ndryshme punuese për hartimin e legjislacionit në fushën e sundimit të ligjit, ndërsa gjatë viteve 2006-2008 ka qenë koordinatore dhe këshilltare e mbështetjes së Qeverisë Amerikane për Grupin Punues dhe më pas për Komisionin Kushtetues, përgjegjës për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kryetarja e zgjedhur e Kushtetueses e ka kryer Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (2004), ndërsa magjistraturën në fushën e integrimeve evropiane dhe regjionalizmit e ka përfunduar në Universitetin e Grazit, Austri (2007). Në biografinë e postuar në faqen e Gjykatës Kushtetuese thuhet se ajo aktualisht vijon studimet për doktoratë në fushën e së drejtës kushtetuese në Universitetin e Grazit.