Aleanca e Ardhmërisë për Kosovën po kërkon që në Kuvendin e Kosovës të mbahet një seancë e jashtëzakonshme lidhur me vaksinimin në masë për COVID-19.
Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se situata nuk po menaxhohet si duhet nga qeveria. Sipas tij, të hënën duhet të diskutohet vetëm lidhur me këtë temë e jo për program të qeverisë.
“Grupi parlamentar i AAK-së kërkon organizimin e një seance të jashtëzakonshme ku do diskutojmë vetëm një temë, vaksinimin në masë dhe parandalimin e keqmenaxhimit të pandemisë. Për ne seanca e të hënës nuk duhet ta diskutoj programin e qeverisë, situata na imponon debatin për vaksinimin në masë e jo për një pamflet partiak që nuk ka asnjë veprim e datë të sanksionuar për këtë temë”, ka thënë ai në konferencë për media.
Ndërkaq, ka thënë se kanë një pyetje për kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitisë.
“Pyetja jonë për kryeministrin Kurti, ministrin Vitia është çka po ndodhë o burra me blerjen e vaksinave. Buxhetin e keni në qeveri për blerjen e vaksinave, nuk keni opozitë, jemi bashkë. Po kërkojmë veprim. Duke qenë kështu kërkojmë nga kryeministri Kurti, e ministri Vitia të veproni. Nuk menaxhohet shteti me lëmoshë, menaxhohet me veprime konkrete. Merrni vendime, parandaloni humbjen e jetëve. Kemi mbetur vendi i fundit me numrin më të vogël të të vaksinuarve”, ka shtuar ai.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka folur për gjendjen e krijuar të premten në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku u krijuan radhë të gjata qytetarësh për t’u vaksinuar.
Dreshaj e ka quajtur zhgënjyese që masë e madhe e njerëzve janë grumbulluar aty, pa ndonjë plan qeveritar.
“Dukjet e sotme nuk japin imazh të mirë të vaksinimit. Përkundrazi, na kujtojnë shumëçka të para 20 vjetëve. Shpallja e ditës së djeshme festë e Bajramit, stopim të vaksinimit dhe grumbullimi i sotëm i masave të mëdha para sallës janë zhgënjyese për vendin e ekspertët e lëmenj”, ka thënë ai.
Ai ka rekomanduar të fillohet me plan strategjik për vaksinim masiv.
-
14 maj 2021 19:01
-
Shpërndaje në: