Arbëri

Shala e quan kryesuesin e Këshillit Gjyqësor bllokues të punës së Apelit

Ndryshe prej herëve të tjera, me tensione është shoqëruar mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka pasur kritika të ashpra për KGJK-në, me pretendimet se ky këshill nuk ka bërë asgjë konkrete për avancimin e punës në institucionin që ai e udhëheq.

Mbledhja e këtij këshilli është mbajtur online, ndërsa në këtë mbledhje kanë raportuar kryetarët e gjykatave.

Shala fillimisht është ankuar për numrin e gjyqtarëve në Divizionin Civil. Me tej ka vazhduar akuzat me atë se si gjyqtarët e departamentit të Krimeve të Rënda dhe Departamentit Special as nuk po kanë lëndë për të trajtuar, ndërsa krejt investimet e KGJK-së po shkojnë në këto dy departamente.

“Këshilli Gjyqësor reagon aty ku nuk duhet fare për shembull rasti ka qenë kur me departamentin special ku s’ka landë, ku për 3 muaj, e patë edhe vet statistikën për 3 muaj i kanë kry 10 lëndë. 6 gjyqtarë janë se kanë as nga gjysmë lënde në muaj nuk i kryejnë, e aty keni intervenu. Çka ka edhe me keq, turpi me i madh i këtij Këshilli është kur shpallni konkurs për bashkëpunëtor të brendshëm në Departamentin Special”, tha Shala.

Shala e ka quajtur kryesuesin Çoçaj bllokues të punës së institucionit që ai e udhëheq.

“Arsyetime nuk ka. Arsyetimi është kur ti punon zotni. Faktikisht unë po foli për Gjykatën e Apelit nuk me interesojnë gjykatat e tjera. Për gjykatën e Apelit ti je pengesë. Pikërisht ti personalisht dhe disa të tjerë aty. Unë i kam tre anëtarë të Këshillit aty, edhe kurrë nuk e besoj që folin për probleme të Gjykatës se Apelit. Kon e përfaqësojnë ata”, deklaroi Shala.

Çocaj është përgjigjur se nuk janë aty për të debatuar, por është sfiduar edhe me tej nga Shala. Më pas kryesuesi ka deklaruar se i kanë parasysh ato që po i kërkon kryetari i Apelit.

“Mirë kryetar, mirë, vitin e kaluar ti je në dijeni se ka pasur pengesa, tani ne i kemi në plan të gjitha këto që i kërkuar ju dhe besoj që shumë shpejt do të shpallën konkurset”, tha Çoçaj.

Në këtë takim kanë raportuar edhe kryetarët e tjerë të gjykatave.

Pas përfundimit të diskutimeve, KGJK-ja aprovoi raportet e punës për tremujorin e parë të vitit 2021 dhe planet e punës së gjykatave për vitin 2021.