Agjencia Kundër Korrupsionit ka hedhur përgjegjësinë te Këshilli Gjyqësor i Kosovës nëse caktimi i Albert Zogajt si kryesues i Komisionit për Jurisprudencë bie ndeshje me Ligjin për KGJK-në.
Albert Zogaj aktualisht kryen pesë funksione. Është gjyqtar në Gjykatën Supreme, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, profesor në Kolegjin AAB, ligjërues në Akademinë e Drejtësisë, konsulent në një OJQ, teksa së shpejti mund ta marrë përsipër edhe kryesimin e Komisionit për Provim të Jurisprudencës, pasi në prill Qeveria e votoi “supermenin” Zogaj për të marrë detyrën e re.
Pasi u votua, Ministria e Drejtësisë kërkoi opinion nga Agjencia Kundër Korrupsionit nëse propozimi i Zogajt për kryetar të Komisionit për Jurisprudencë është në kundërshtim me Ligjin për Parandalim të Konfliktit të Interesit. Një gjë të tillë kjo ministri e ka bërë pasi KOHA u ka dërguar pyetje për këtë çështje.
Ndërkaq në një opinion të 6 majit, edhe pse i lejohet interpretimi i ligjeve, AKK-ja s’e ka bërë këtë dhe e ka gjuajtur topin te Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Sipas AKK-së, propozimi i Zogajt për detyrën e re nuk bie ndesh me Ligjin për Parandalim të Konfliktit të Interesit, megjithatë është lënë e hapur mundësia që është në kundërshtim me Ligjin për KGJK-në, specifikisht nenin 18, paragrafin 5.
E paragrafi 5 i këtij neni e specifikon qartë se “Kryesuesi, zëvendëskryesuesi dhe anëtarët e Këshillit nuk kanë të drejtë të ushtrojnë ndonjë detyrë tjetër publike apo profesionale për të cilën shpërblehen me pagesë, përveç mësimdhënies në institucionet e arsimit të lartë”.
Faktin që Zogaj mban pozitë në KGJK, KOHA e ka konfirmuar përmes uebfaqes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Ai më 10 mars është zgjedhur anëtar i KGJK-së. Në njoftimin për media është prezantuar edhe biografia e tij.
KGJK-ja ka afat 15 ditë për ta informuar Agjencinë lidhur me kërkesën e saj.