4 perditesime
23:42

Balaj kërkon që të hetohet kontrata për IPTV në Telekom

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj ka thënë se kontrata për IPTV duhet të hetohet nga organet e drejtësisë, ashtu sikurse edhe shumë kontrata të tjera të dëmshme në këtë kompani.

Balaj ka theksuar se punëtorët e Telekomit janë për një IPTV të mirë në Telekom.

“Ne jemi për një IPTV të mirë në Telekom sepse shumë shpejtë Telekomi do ta ketë një ngritje edhe në telefoninë mobile por edhe në IPTV. Për shkak të problemeve financiare s’kemi mundur me t’i implementojmë këto. Në një pjesë të lëndëve jam thirrur dhe kam dëshmuar. Jam në kontakt me disa prokurorë të lëndëve. Ka kontrata që janë dërguar edhe nga ish-menaxhmenti i Telekomit, janë duke u hetuar edhe dëme të tjera që i janë shkaktuar Telekomit”, ka thënë Balaj.

Sipas tij, ata që i kanë shkaktuar dëme Telekomit bazën e kanë brenda kompanisë, ndërkaq siç ka thënë, ata kanë pasur presione nga jashtë.

“Telekomi ka nevojë për një ristrukturim të mirëfilltë. Ata njerëz që e kanë shkatërruar Telekomin dhe që janë në pozita duhet të shkarkohen sepse dëmet kanë ardhur prej tyre, dëmet kanë ardhur nga ata”, ka thënë Balaj.

23:39

Balaj: Nuk e përkrahim kontratën për fije optike, shpresojmë që Prokuroria ta vërtetojë që është e dëmshme

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, ka thënë se sindikata nuk do të përkrah në asnjë mënyrë një kontratë për fije optike që Telekomi ka nënshkruar me një kompani private Advan Tech, me pronar nga Shqipëria.

Ai ka thënë se me këtë kontratë ofrohet edhe rrjeti i fijeve optike për kompaninë private, që do të menaxhojë bazuar në të secilën fije optike të institucioneve shtetërore dhe ekziston rreziku edhe i përgjigjimit të institucioneve. Ai ka thënë se shpreson që Prokuroria të dal me një vendim.

“Sot gjatë ditës ka dal një lajm që ka qenë i njohur si lajm. Është kontrata me Advan Tech që është nënshkruar me një kompani me pronar që ka qenë nga Shqipëria. Kontratë e dëmshme për Telekomin. Ti nuk guxon sot me ja dhënë privatit një çmim të tillë që përfiton më sumë se ti ndoshta 200 apo 300 për qind. Ndërsa krejt infrastruktura është e Telekomit. Më e keqja është se ai tashmë në emër të kontratës ka siguruar edhe rrjetin e fijeve optike. Dhe secilën fije të institucioneve shtetërore e ka nën kontroll. I ka fijet e AKI-së, të Policisë, të Ushtrisë, KFOR-it dhe gjitha institucioneve vitale në Kosovë. Dhe çka nëse shërbimet e huaja munden me derdh mjete te ajo kompani e me pas çdo përgjim. Askund në botë nuk ndodh diçka e tillë vetëm te ne”, ka thënë Balaj në Interaktiv të KTV-së. “Kontrata të tilla ne si Sindikatë nuk i përkrahim. Është nën hetime e presim sa më parë Prokuroria e shtetit, Prokuroria e Prishtinës që po e heton rastin, të dal me vendim e të tregon se kontrata është e dëmshme”.

23:36

Balaj: Bordi i ri i Telekomit duhet t’i ndalojë kontratat e dëmshme

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, ka thënë se hapi i parë që bordi i ri i kësaj ndërmarrjeje që duhet ta marrë është t’i ndalojë kontratat e dëmshme.

“Hapi i parë që ish dashtë, besoj që bordi duhet të ketë potencial, fuqi dhe trimëri që t’u dalë punëve përballë, është që t’i ndaloj kontratat e dëmshme, t’i dërgoj në prokurori”, ka theksuar Balaj.

Balaj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kontratat e shumta të dëmshme brenda Telekomit që janë nënshkruar në të kaluarën e kanë sjellë në gjendje të keqe atë.

“Kontratat e shumta të dëmshme brenda Telekomit që janë nënshkruar në të kaluarën janë ato që e kanë pru në këtë gjendje Telekomin, mosmenaxhimi i mirë nga ish-bordet në vazhdimësi që kanë qenë të emëruara nga qeveria dhe zanafilla ka filluar në 2010-2011 ku në vazhdimësi Telekomi ka pasur rënie pas nënshkrimit të kontratave të dëmshme dhe më e rënda është investimi në teknikë ku rreth 7 vite nuk është bë investim në teknikë në valë”, ka thënë ai.

23:20

Balaj: Telekomi ka formuar komisionin për t’i gjetur gabimet në vendosjen e antenave

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, ka thënë se Telekomi ka formuar një komision i cili po gjen gabimet e vendosjes së antenave.

“Telekomi e ka formuar një komision për t’i gjetur gabimet e vendosjes së antenave dhe një pjesë e tyre janë vendosur vetëm sa për t’i dhënë qira dikujt”, ka thënë ai.

Balaj në Interaktiv ka folur për vendosjen e antenave të Telekomit nëpër vende të ndryshme ku nuk është dashur dhe për objektet, qiratë e të cilave janë shumë më të larta se çmimi në treg.

Ai ka thënë se ka objekte të panevojshme të cilat as klienti ndonjëherë nuk mund t’i gjejë dhe qiratë të cilat Telekomit nuk i duhen aspak.

“Nuk është që nuk kemi pasur nevojë për një pjesë të objekteve ku kemi bë shitje dhe objekte me qira, por nuk kemi pasur nevojë të shkojmë me çmime drastike deri në 50-100 apo 200 për qind ka vende ku janë qiratë me shumë më të larta se në çmimin që është i tregut. E kemi sot një kontratë aktuale që ka skaduar në objektin që është tek Qafa, është kontrata ku punojnë punëtorët, po flitet që duhet të vazhdojë por ne jemi kundër një kontrate të tillë, sepse ka skaduar. Ajo kontratë me atë çmim që ka qenë nuk duhet të vazhdoj sepse duke pa gjendjen financiare të Telekomit, ne ndoshta as shitjen nuk mund ta bëjmë në atë objekt për ta mbuluar qiranë, lë më t’i mbulojmë pagat e punëtorëve. Me sa di, është diku më e lartë diku 200 për qind sa mund ta marrësh në treg më lirë dhe me pozicion më të mirë. Ka shumë qiraja të tilla që neve nuk na janë dashur aspak. Ka pasur objekte që kanë qenë në vende që ka qenë problem që dhe klienti ta gjejë, ato janë të parat që duhet të shkëputen, duke nisur edhe nga antenat që janë vendosur vend e pa vend". 

Ai ka treguar edhe për antenat e vendosura në prona të politikanëve.

“Nuk dua të them qind për qind, por 50 për qind e tyre kanë antena apo kanë pasur në objekte në prona të tyre apo familjarëve. Këto na kanë shkaktuar dëmin më të madh. Në Prishtinë, ku është frekuentimi më i madh, ndoshta ka kushtuar 350-400 euro qiraja për vendosje të antenave. E në disa prona ndoshta e ke vendosur antenën e ke paguar 1500-1800 euro qira e nuk ka kryer punë. Komisioni ka gjetur edhe antena fiktive ku është vendosur, është paguar qiraja, por antena nuk funksionon”, ka thënë Balaj.

23:09

Balaj: Kontratat e Telekomit, të rrezikshme edhe për sigurinë e shtetit

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, ka thënë se gjendja në Telekomin e Kosovës është e rëndë dhe se Bordi i ri duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë për ta kthyer në gjendjen në të cilën ndodhet kjo kompani.

Balaj ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se kontratat e shumta që janë nënshkruar në të kaluarën janë ato që i kanë shkaktuar më së shumti dëme Telekomit.

Ai ka theksuar se edhe vlerat e larta të qirave të objekteve të Telekomit dhe mungesa e investimeve teknike në Valë janë po ashtu disa prej faktorëve që po e dëmtojnë shumë kompaninë.

“Telekomi nuk është në gjendje të mirë, nuk ka ndonjë ndryshim edhe pse është munduar të bëhet diçka. Por gjendja është e rëndëm, duke filluar prej gjendjes finaciare, asaj teknike e deri tek problemet me pagat e punëtorëve. Problemet janë të kamotshme, kontratat e shumta që janë nënshkruar në të kaluarën janë ato që e kanë sjellë në këtë gjendje, mosmenaxhimi i mirë nga Bordet. Zanafilla ka filluar në vitin 2010 kur Telekomi ka pasur dëme pas nënshkrimit të kontratave të dëmshme të kompanisë, sidomos me Z-Mobile e cila i ka shkaktuar dëme mbi 200 milionë euro. Pastaj, investimi në teknikë, i ka rreth 7 vite që nuk është bërë asnjë investim në teknik në Valë dhe kjo shkakton gjendje të rëndë”, ka thënë Balaj.

Sipas tij, hapi i parë që duhet të bëjë Bordi i ri i sapo emëruar nga Qeveria, është që të ndalojë ato kontratat e dëmshme, t’i dërgojë edhe në krime ekonomike dhe në prokurori.“Besoj se hapi i parë duhet që duhet të bëjë ky Bord në bashkëkoordinim me ministrinë e Qeverinë, ose vet si bord, është të ndalojë kontratat e dëmshme, të i dërgojë ato edhe te krimet ekonomike dhe Prokurori. Një pjesë e tyre është në Prokurori dhe po shqyrtohet nga organet e rendit. Besoj se nëse fillon sa më shpejt të ndodh atëherë Telekomi për kohë rekorde mund të kthehet në piedestalin ku ka qenë".