Arbëri

Bislimi çon në komision dosjet e Lajçakut dhe Qeverisë për dialogun

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi është duke raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë për vizitën në Bruksel.

Ai me vete në raportim ka marrë edhe dosjen nga emisari i Bashkimit Evropian për Dialog, Miroslav Lajçak dhe atë që e kanë trashëguar nga qeveritë e kaluara.

Ai ka thënë se në dosjen e trashëguar nuk ka asgjë substanciale por vetëm tregojnë për mbajtjen e takimeve për të cilat tregojnë se kanë shkuar mirë, gjithashtu tregojnë në sa ora kanë filluar e gjëra të tilla.

Deputetja e PDK-së, Ariana Shoshi ka thënë se ftesë për raportim është dashur t’i dërgohet edhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Shoshi ka thënë se PDK nuk ka pranuar as një raport nga Qeveria për çështjen e dialogut.

Ndërkaq kryetari i komisionit, Haki Abazi ka thënë se Gërvalla do të ftohet një ditë tjetër.

Bislimi ka debatuar me deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti, lidhur me informatat që kanë marrë. Bislimi ka thënë se si i zv/kryeministër për dialog ka përgatitur raport për takimet në Bruksel dhe ia ka dërguar kryeministrit, presidentes, MPJ-së, kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe liderëve të partive politike dhe në debat e sipër i ka thënë se është çështje e tij kujt ia dërgon atë raport.

Haliti ka insistuar që është deputet dhe si i tillë nuk ka pse të marrë informacione prej kryetarit dhe se të gjitha informacionet që kanë duhet të ia përcjellin komisionit.

Abazi ka kërkuar që Haliti të presë përgjigjet nga zëvendëskryeministri dhe të mos ndërhyjë. Haliti i është kundërpërgjigjur që në komision janë për debat dhe ndërhyrjet do t’i bëjë sa herë të ketë nevojë.

Bislimi debat ka pasur edhe me deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj.

“Mos të kanë humb dokumentet rrugës... nuk qëndron ajo (që nuk ka dokumente). Në pranim-dorëzimin e detyrës dorëzohen të gjitha dokumentet i kanë lanë në qeveri. Nuk i kanë humb si ju në 3 muaj qeverisje. Për çështje të tilla shkoni në debat me Hotin e debatoni. Na të thirrim për diçka tjetër e ti erdhe na e solle një dokument. Është marre me shku më thanë që nuk ke gjet askund. Ti mundesh me ardh me një të zbrazët edhe me thanë që këto i kem gjet edhe që jem detyru në Bruksel me shku me i marrë....hallakatni nëpër arkiva”, ka thënë Kadrijaj.

Në anën tjetër Bislimi i ka thënë se po flet pa pasur informata.

{gallery}