1 perditesime
22:45

Komuna e Kamenicës paralajmëron mësimdhënësit: Mësimi plotësues të mbahet në shkolla të përcaktuara nga komuna

Komuna e Kamenicës ka bërë thirrje që organizimi i orëve plotësuese mësimore, siç është kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, duhet bërë në shkollat e përcaktuara që i ka përcaktuar komuna.

Sipas Komunës së Kamenicës, çfarëdo vendimi për organizim të mësimit në objekte tjera, do të konsiderohet shkelje e rëndë të detyrave të punës dhe do të ndëshkohet në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjin për Arsimin në Komuna.

“Të nderuar mësimdhënës të Komunës së Kamenicës, siç jeni në dijeni së fundmi Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka marrë vendim për organizimin e mësimit plotësues për nxënësit e Komunës së Kamenicës të cilët si pasojë e refuzimit të reformës në arsim, kanë bojkotuar procesin arsimor. Sipas këtij vendimi, Komuna e Kamenicës ka përcaktuar shkollat se ku do të bëhet organizimi i orëve plotësuese mësimore, në përputhje të plotë me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjin për Arsimin në Komuna. Çfarëdo vendimi për organizim të mësimit në objekte të tjera përveç atyre të përcaktuara nga Komuna e Kamenicës, do të konsiderohet si shkelje e rëndë e detyrave të punës dhe do të ndëshkohet në përputhje me Ligjin. Andaj, duke ju kërkuar mirëkuptimin tuaj të plotë, kërkojmë që çdo veprim i juaj të jetë i harmonizuar me qëndrimet e Komunës së Kamenicës, me të cilën ju të nderuar mësimdhënës keni nënshkruar kontratat dhe me asnjë akter tjetër”, thuhet në njoftimin e Komunës së Kamenicës.

21:58

MASHTI: Nesër të gjithë nxënësit e komunës së Kamenicës të jenë në shkollë

Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka bërë thirrje që nesër të gjithë nxënësit e komunës së Kamenicës të jenë në shkollë, në bazë të vendimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar.

Vendimin për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar për 441 nxënës të komunës së Kamenicës, MASHTI thotë se e ka marrë duke respektuar obligimet sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, si dhe Konventën mbi të Drejtat e Fëmijëve.

“Ftojmë prindërit që të kujdesen për dërgimin e fëmijëve në objekte shkollore si dhe mësimdhënësit të jenë në kryerje të detyrës sipas planifikimeve që janë bërë me Inspektoratin e Arsimit. Askush nuk mund të ndërmarrë masa ndaj mësimdhënësve të cilët e kryejnë detyrën e tyre në të mirë të nxënësve. MASHTI merr përsipër mbështetjen për secilin person qoftë mësimdhënës ose personel tjetër i cili ua garanton të drejtën e fëmijëve për shkollim. Të gjithë duhet të jenë në shërbim të organizimit të mësimit dhe ofrimit të ndjenjës së sigurisë për secilin fëmijë dhe mësimdhënës. Mësimi alternativ i përshpejtuar, i planifikuar për fëmijët që nuk po vijojnë mësimin që nga shtatori e disa edhe më shumë është i domosdoshëm. Andaj, inkurajojmë të gjitha palët që sa më parë të gjejnë zgjidhje në lidhje me organizimin e shkollave dhe që viti i ri shkollor të jetë i rregullt për të gjithë nxënësit”, përfundon komunikata e MASHTI-t.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci më herët ka kërkuar nga komuna e Kamenicës të zbatojë në tërësi vendimin dhe që mësimi të organizohet për nxënësit e SHFMU “Hasan Prishtina”, në fshatin Busavatë, SHFMU “Asllan Thaqi”, në fshatin Karaçevë e Poshtme, SHFMU “Xhelal Sopi” në fshatin Petrocë, për nxënësit e Paraleles fizike në fshatin Shipashnicë e Poshtme si dhe, për nxënësit e paraleles fizike në fshatin Kopernicë.

Me këtë vendim nuk është pajtuar kryetar i Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili përmes një letre publike ia ka rikujtuar ministres Nagavci reformat që i kishte nisur kur ishte në krye të arsimit në Prishtinë. Ai në letrën e tij e ka njoftuar Negavcin me problemet që ballafaqohet arsimi në Kamenicë. Këtë vendim, Kastrati e quan “shkel e shko”.