2 perditesime
23:37

Murtezaj: Kërkesat e Serbisë gjatë negociatave vazhdimisht ishin destruktive

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Valon Murtezaj, ka thënë se kërkesat e Serbisë në negociatat me palën kosovare kanë qenë vazhdimisht destruktive, e të cilat thotë se edhe në të ardhmen do të jenë të tilla.

“Qeveria e Kosovës cilado qoftë nuk duhet të drejtohet apo të shtyhet nga sjelljet e qeverisë së Serbisë. Kërkesat vazhdimisht kanë qenë destruktive, do të jenë të tilla edhe në të ardhmen”, ka thënë ai në Interaktiv.

Murtezaj ka folur për kompromiset në procesin e dialogut dhe çfarë nënkuptojnë ato për Kosovën. Sipas tij, Kosova duhet të jetë e përgatitur për bisedime dhe të ketë ekip të përgatitur.

“Është gjuhë e zakonshme e negocimit, fakti që ti ulesh në tavolinë është e pritshme të bëhet kompromise. Por, jo domosdoshmërisht në mënyrë automatike këto kompromise mund të jenë të dëmshme apo të dhimbshme. Çështja është që nëse je i përgatitur mirë, nëse ke ekip që ka përvojë dhe diturinë dhe një marrëveshje të mirë me të gjitha palët në Kosovë gjërat janë më të lehtë sepse i di limitet e koncesioneve. Një koncesion nuk do të thotë se ke humbur në tavolinën e bisedimeve, duhet ditur çfarë koncesione je duke bërë”, ka thënë ai.

23:20

Murtezaj tregon mbi çfarë parime u zhvillua dialogu në Qeverinë e kaluar

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Valon Murtezaj, thotë se “non-paper”-at nuk duhet ta determinojnë strategjinë negociuese.

Ai ka treguar se në qeverinë e kaluar, kanë qenë disa parime bazë për dialogun, e një ndër to ka nënkuptuar edhe moslëvizje të kufijve e po ashtu një Asociacion pa kompetenca ekzekutive.

“Non-paperat nuk duhet të determinojnë strategjinë tuaj negociuese, pasi në çfarëdo procesi negociator hynë me disa gjëra bazike fillimisht, me atë se çfarë duam nga ky proces. Një qeveri bazohet në Kushtetutën dhe interesat nacionale të vendit. Kanë qenë disa parime të dialogut që janë bërë në Qeverinë e kaluar, 3-4 pika kryesore: të respektohet Kushtetuta e Republikës, integriteti territorial, karakteri unitar i Kosovës, që nënkupton asnjë lloj destabilizimi apo defunksionalizimi që mund të pasojë nga çfarëdolloj marrëveshje potenciale si rezultat i këtij dialogu. Kjo nënkupton nuk ka lëvizje të kufijve, e nuk ka trupa që do të shkatërronin funksionimin e shtetit të Kosovës, në kuptimin e një Asociacioni me kompetenca ekzekutive. Këto janë larguar edhe me dokumentin e parimeve për Asociacionin dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Murtezaj në Interaktiv të KTV-së.

23:08

Murtezaj: “Non-papers” nuk janë shtytësit kryesorë për dialogun, BE-ja po dëshiron ta dinamizoj

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës, Valon Murtezaj, ka thënë se dokumentet jozyrtare të njohura si “non-paper”, nuk janë shtytës kryesorë për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Murtezaj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se sidomos në ditët e fundit vërehet përpjekje për ta dinamizuar procesin e dialogut.

“Dialogu po bëhen 10 vite, ka pasur dinamika, ndonjëherë ka pasur faza tepër intensive, pastaj pauza të gjata. Megjithatë, tash si duket kur i shohim zhvillimet në javët e fundit, vërehet se është përpjekje për ta dinamizuar procesin e dialogut”, ka thënë ai.

“Jo domosdoshmërisht, nuk janë ‘non-papers’ shtytësit kryesorë për dialog, mund të jenë ngacmim shtesë për dinamikë. Fakti që nuk ka pasur progres në muajt e fundit, BE-ja do ta dinamizoj procesin. Kjo kërkon vëmendje, përkushtim nga pala e caktuar. Ne na intereson çfarë bën qeveria për të dalë të përgatitur në procesin e dialogut”, ka shtuar Murtezaj.

Më tej, ka shtuar se LDK-ja si parti opozitare do ta mbikëqyrë procesin e dialogut dhe të japë kontributin e saj.