Arbëri

Austria kundër ndryshimit të kufijve

Shefi i diplomacisë austriake, Alexander Schallenberg, thotë se një marrëveshje Kosovë-Serbi është e domosdoshme që të dy vendet të bëhen pjesë e BE-së, ndërkohë që pavarësinë e Kosovës thotë se duhet ta njohin të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare

Republika e Austrisë është e përkushtuar të ndihmojë Kosovën dhe rajonin në luftimin e pandemisë COVID-19. Kështu ka thënë shefi i diplomacisë austriake, Alexander Schallenberg, duke folur për ndihmën e BE-së me vaksina, që realizohet përmes Austrisë. Në intervistën ekskluzive për Kohën, të realizuar me shkrim, ministri Schallenberg po ashtu hedh poshtë idetë për ndryshim kufijsh në rajon, përkrah njohjen e pavarësisë së Kosovës nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare dhe thekson se marrëveshja gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë është domosdoshme për të anëtarësimin e të dy vendeve në BE. Schallenbergu ka thënë edhe se Austria përkrah plotësisht liberalizimi i vizave për Kosovën.

Koha: Pak ditë më parë morëm lajmin e mirë për 651,000 vaksinat që BE-ja po ua dhuron vendeve të Ballkanit Perëndimor, prej të cilave 95,000 doza janë për Kosovën. Austria ishte lehtësuese e gjithë këtij procesi në emër të BE-së. Pse është kaq me rëndësi për Austrinë që t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht Kosovën, në këtë moment?

Schallenberg: I gjithë rajoni ka qenë gjithnjë prioritet i politikës së jashtme austriake. Lidhjet në mes Austrisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të shumta: historike, ekonomike, por natyrisht edhe humane.

"Për ne është e qartë se nuk duhet të ketë hapësira të pambuluara në hartën e vaksinimit, meqë ato paraqesin rrezik për të gjithë ne. Në fund të fundit, askush nuk është i sigurt, nëse nuk janë të gjithë të sigurt".

 

Prandaj kemi pranuar menjëherë dhe me shumë kënaqësi, kur Komisioni Evropian ka lutur Austrinë të lehtësoj shpërndarjen e vaksinave në rajon. Krahas kontributit të Austrisë në kuadër të COVAX – iniciativës globale për sigurimin e qasjes universale dhe të barabartë në vaksina – ky angazhim është një shenjë tjetër e solidaritetit tonë dhe miqësisë së thellë me fqinjët tanë të Ballkanit Perëndimor.

Koha: Në Ballkanin Perëndimor përgjithësisht, në Kosovë veçanërisht, vaksinat dhe pandemia COVID-19 janë një krizë shëndetësore, por edhe ekonomike. A mundet BE-ja (dhe Austria) të ndihmojë më tutje vendet dhe qeveritë tona në adresimin e pasojave të pandemisë, po ashtu?

Schallenberg: Pandemia COVID-19 njëmend se ka një ndikim të pashembullt në sistemin shëndetësor, por natyrisht edhe në ekonomi në përgjithësi. Bazuar në këtë, nuk do të duhej të mbetej e pa vërejtur se BE-ja ka reaguar në mënyrë të vendosur për mbështetjen e partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor duke vënë në dispozicion pakon thelbësore prej 3.3 miliardë eurosh për intervenim të menjëhershëm në menaxhimin e krizës së krijuar shëndetësore. Si ministër për Punë të Jashtme i Austrisë, jam krenar të them se në fillim të krizës vitin e kaluar, vendi im, ka dhuruar 250.000 euro për një projekt të koordinuar nga UNDP, përmes të cilit janë siguruar më shumë se 13.600 teste dhe pajisje të tjera të nevojshme përcjellëse.

"Të jeni të sigurt se BE-ja dhe Austria do të mbesin të përkushtuara të mbështesin Kosovën edhe në rrugën e saj për rimëkëmbje ekonomike"

 

Kjo mund të shihet qysh tani, me këtë projekt, meqë në kuadër të instrumentit për para-anëtarësim (IPA-II), është paraparë një pako prej 70 milionë eurosh për të financuar qasjen në vaksina partnerëve tanë nga Ballkani Perëndimor. Mjetet e siguruara do të ndihmojnë në lehtësimin e barrës buxhetore dhe të mundësojnë rritjen e fleksibilitetit financiar. Në përgjithësi jam plotësisht i bindur, se duhet të përqendrohemi në fusha të qëndrueshme ekonomike, si teknologjia ekologjike apo digjitalizimi, fusha këto në të cilat do të përqendrohemi edhe në Austri.

Koha: Ndërkohë, madje edhe krahas COVID-19, ne edhe më tej kemi çështje tjera për të trajtuar. Kosova ka një qeveri të re e cila ka theksuar se ka edhe prioritete të tjera, po ashtu, siç janë sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe varfërisë. Por, BE-ja vazhdimisht e thekson se dialogu me Serbinë duhet të jetë prioritet kryesor, ndërsa kryeministri Kurti ka thënë se dialogu është me rëndësi, por ai ka nevojë të reformohet. Deri në ç‘masë mendoni se dialogu ka nevojë të ndryshohet, apo të rimendohet nëse doni ta themi ashtu, ashtu që të kemi një proces dhe synime më të qarta?

Schallenberg: Të gjitha temat e përmendura janë shumë të rëndësishme për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe shkojnë krah për krah me të. Çfarë na duhet, është gatishmëri e sinqertë nga të dyja palët për të punuar të mënyrë konstruktive drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse e cila i adreson të gjitha çështjet e hapura. Në bisedën time të fundit me ministren për Punë të Jashtme znj. Gërvalla-Schwarz, më është siguruar se Kosova do angazhohet në këtë proces në mënyrë konstruktive. Përgëzoj z. Miroslav Lajçak për angazhimin e tij të vazhdueshëm që të gjejë një zgjidhje të tillë. Më lejoni t’ju siguroj se ai ka mbështetjen e plotë të Austrisë. Shumë inkurajuese është po ashtu të shohim se administrata amerikane është e përkushtuar për mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, përmbyllja me sukses e të cilit është parakusht për anëtarësim në BE.

Koha: Në kontekstin e dialogut, kemi parë në të kaluarën, por edhe së voni po ashtu, diskutime rreth ndryshimit të kufijve si një zgjidhje e mundshme për çështjet e hapura, jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe në Bosnjë e Hercegovinë, sikur edhe për vendet e tjera në rajon. Cili është pozicioni i Austrisë ndaj ndryshmeve të kufijve dhe diskutimeve për territore?

Schallenberg: Austria angazhohet për paprekshmëri të kufijve në mbarë Evropën. Mbi të gjitha, ne duhet të punojmë në integrimin e mëtejmë të Evropës, me qëllim që rëndësia e kufijve të jetë një çështje sekondare. Kjo duhet të jetë baza e së ardhmes edhe për Ballkanin Perëndimor. Duke iu referuar dokumentit jozyrtar të ashtuquajturit “Way Forward“(një mënyrë përpara), nuk do të doja të komentoja në detaje një punim anonim. Megjithatë, një gjë duhet të jetë e qartë dhe Austria mban qëndrim të fortë se: Integriteti i Bosnjës e Hercegovinës nuk guxon në asnjë mënyrë të vihet në diskutim.

Koha: SHBA-ja e ka thënë vazhdimisht se ata e shohin një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të përqendruar rreth njohjes së ndërsjellë. BE-ja nuk ka një qëndrim të qartë rreth kësaj, mbase për shkak të 5 vendeve që nuk e njohin Kosovën. Po cili është pozicioni i Austrisë në këtë?

Schallenberg: Bashkimi Evropian ka përsëritur në vazhdimësi se parakusht për anëtarësim në BE është zgjidhja e të gjitha çështjeve të hapura në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese. Një marrëveshje e tillë në mes Kosovës dhe Serbisë nuk është e një rëndësie të veçantë vetëm për këto dy vende, por po ashtu edhe për stabilitetin dhe ardhmërinë e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

"Austria gjithnjë është angazhuar për një progres të shpejtë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE, si dhe për njohjen e Kosovës nga të gjithë anëtarët e komunitetit ndërkombëtar".

 

Siç e kam thënë edhe më parë, Evropa është e plotësuar vetëm kur të anëtarësohen të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në BE.

Koha: Procesi i integrimeve evropiane të Kosovës është ndalur, madje edhe më shumë se sa i vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor. Cili është këndvështrimi juaj për perspektivën e Kosovës, por edhe të vendeve të tjera të rajonit për anëtarësim në BE?

Schallenberg: Njëri prej parakushteve për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE është përmbyllja e suksesshme e dialogut, përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, e cila i zgjidh të gjitha çështjet e hapura. Kjo është arsyeja pse vëmë kaq shumë theks në vazhdimin e dialogut sa më parë, në mes të Qeverisë së re të Kosovës dhe Serbisë.

Koha: Dhe, për fund – pyetja për vizat. Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk është pjesë e së ashtuquajturës Listë e Bardhë e Schengenit. Këtu, mungesa e liberalizimit të vizave për Kosovgën shihet si një diskriminim i padrejtë i vendit tonë nga BE-ja dhe vendet anëtare. Pse Kosova mbetet ende e izoluar nga BE-ja, përkundër vlerësimeve pozitive të Komisionit Evropian sikur edhe të Parlamentit Evropian? Dhe, a përkrah Austria liberalizimin e vizave për Kosovën?

Schallenberg: E kuptoj plotësisht frustrimin e qytetarëve të Kosovës për këtë çështje. Sa i përket Austrisë, mbështetjen për liberalizimin e vizave e kemi të theksuar enkas në programin aktual të Qeverisë. Mirëpo, nuk mjafton që vetëm Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian të pajtohen me këtë, duhet po ashtu edhe pëlqimi i shumicës së këshillit të Ministrave të BE-së. Prandaj, përderisa ka ende hezitim nga disa shtete anëtare të BE-së, kërkesa ime për Kosovën është të mundohen shumë t’ua dëshmojnë atyre të kundërtën.