Koordinatoari kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike, Shqipdon Fazliu, ka thënë se ka qenë i nevojshëm një ndryshim në legjislacion për konfisikimin e pasurisë së paligjshme.
Fazliu në Deskun e KOHËS ka treguar se qysh në vitin 2014 kishte kërkuar këtë lloj ligji.
Qeveria e Kosovës ka miratuar një koncept-dokument për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.
“Natyrisht se ligji është pozitiv. Në korrik të vitit 2014 kam kërkuar këtë lloj të ligjit. Natyrisht legjislacioni aktual nuk është i mjaftueshëm. Vjen situata kur parashkruhen lëndët. Zyrtarët janë njerëz që e njohin legjislacionin e i ikin veprave penale. Ky ligj duhet të përdoret si mjet i fundit. Kur aprovohet si mjet i parë, atëherë është problematike”, ka thënë Fazliu.
Fazliu ka treguar se çfarë përmban koncept-dokumenti, dhe se ka treguar se Ministria e Drejtësisë ende nuk është përcaktuar se cilin opsion do ta aprovojë.
“Modeli më agresiv është ai katër, të cilin e ka Bullgaria, Franca, Portugalia, Rumania. Në këtë model, që vlen vetëm për zyrtarët, nëse të hyrat e deklaruara matematikisht nuk e arsyeton blerjen e pronave, dhe nëse nuk dëshmohet se pasuria është arritur me mjetë të ligjshme, atëherë konfiskohet. Modeli 4 nuk kërkon as lidhje direkte e indirekte me kriminalitetin. Por, nuk është shqetësim për qytetarët. Për qytetarët vlen modeli tre, që aplikohet në Estoni, Gjermani, Britani të Madhe. Po supozojmë se Policia e kap një qytetar me 100 mijë euro para të gatshme. Nëse është zyrtarë, atëherë nuk kërkohet më tepër përpos të dihet ku e ka marrë zyrtari pasurinë. Te qytetari duhet të dëshmohet aktiviteti i përgjithshëm. A ka qenë i dënuar për drogë, import nafte, prostitucion apo vepra të tilla. Por, nëse rezulton i ndershëm, dhe po ashtu nuk ka histori kriminaliteti as ai e as familja, atëherë nuk konfiskohet pasuria”, ka thënë Fazliu.