Arbëri

Opozita reagon ndaj nisjes së hetimeve për “zbulim të fshehtësisë” në sigurimin e vaksinave

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë reaguar ndaj njoftimit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës për nisjen e hetimeve për veprën penale të “zbulimit të fshehtësisë zyrtare” për rrjedhjen e dokumenteve të negocimit të kontratës mes shtetit të Kosovës dhe kompanisë për prodhim vaksinash kundër COVID-19 “

Partia Demokratike e Kosovës e ka cilësuar sulm direkt ndaj demokracisë nisjen e hetimeve “me urdhrin politik të Arben Vitisë dhe Albin Kurtit”, ndërsa LDK-ja ka thënë se hetimi duhet të bëhet ndaj ministrit Vitia “për mosfurnizim të qëllimshëm me vaksina”.

Të shtunën, Prokuroria Themelore e Prishtinës njoftoi se ka nisur hetimet për “zbulim të fshehtësisë zyrtare” pas thirrjes që i bëri ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas rrjedhjes së dokumenteve negociuese me “Pfizerin”. Ai kishte thënë se puna e komisionit për procesin e sigurimit të vaksinave është nën betim dhe nuk mund të jepet asnjë detaj për të.

“Ligji për kategorizimin e një dokumenti sekret është rregulluar shumë qartë, blerja e vaksinave asnjëherë e sidomos në rrethana të pandemisë, nuk është dhe nuk mund të jetë sekret. Përkundrazi, për shkak të rrethanave nëpër të cilat po kalon Kosova, blerja e vaksinave është prioritet mbi çdo prioritet tjetër dhe transparenca me sigurimin dhe administrimin e tyre është gjëja më bazike që do të duhet të bëj qeveria e Albin Kurtit. Qytetarët e Kosovës, mediat, organizatat e shoqërisë civile e sidomos nëpunësit e sektorit publik, nuk duhet të kenë frikë që t’i zbulojnë veprimet e dëmshme të një pushteti në çfarëdo rrethanash. Për këtë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka miratuar ligjin e veçantë për këtë kategori, ata janë të mbrojtur nga demokracia, kushtetuta dhe ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, Nr.6/L – 085”, ka thënë zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.

Bytyçi e ka konsideruar shqetësues “skandalin me vaksinat”. Ai ka thënë se ministri Vitia ka kërcënuar haptas “nëpunësit civilë dhe gazetarët që kanë publikuar dokumente kredibile”

“Prokuroria e Shtetit në vend se të hapë hetimet ndaj Arben Vitisë për rrezikimin e jetërave të qytetarëve për shkak të vonesave të qëllimshme për të siguruar vaksinat, ajo e bëri krejt të kundërtën”, ka thënë më tej ai duke ftuar Prokurorinë që mos të bëhet “instrument i dhunës dhe frikësimit me urdhrat politik të Albin Kurtit”.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se Prokuroria duhet të sqarojë nëse Vitia ka gënjyer kur ka demantuar lajmin për sigurim të vaksinave apo nëse lajmi ka qenë i vërtetë.

“Janë dy çështje që Prokuroria duhet të sqaroj për organet e drejtësisë dhe qytetarët: - A ka gënjyer Ministri i Shëndetësisë mbrëmë kur demantoi lajmin për sigurim të vaksinave - gjë që është dashtë të shoqërohet me padi për shpifje ndaj gazetës në fjalë?; - Apo lajmi i gazetës online Insajderi.org paska qenë në fakt i vërtetë dhe është cilësuar tashmë si zbulim i fshehtësisë zyrtare?”, ka thënë në fund ai.


Abdixhiku kritikon Qeverinë për rastin e vaksinave

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar Qeverinë Kurti pasi kërkoi hetim të rrjedhjes së dokumenteve në procesin e sigurimit të vaksinave kundër COVID-19. Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka thënë se nuk po shihet punë e Qeverisë në sigurim të vaksinave.

“Dështimi në sigurimin e vaksinave nuk guxon të zëvendësohet me sulm e kërcënim ndaj mediave. E vërteta është interesi i vetëm publik. Mediat kanë për detyrë të nxjerrin këtë të vërtetë; pushteti - që i ka krejt - ka për obligim t’i gjejë vaksinat. Fjalë e arsyetime kemi pasur plot. Punë s’po shohim dot. Kërcënimi s’është punë; e as që bën punë. Dobët, dobët shumë. 1 muaj qeverisje. 293 kosovarë të vdekur. 0 vaksina. Kjo është e vërteta. Në këtë të vërtetë të dhimbshme duhet të fokusohet energjia e pushtetit”, ka shkruar ai.


Në anën tjetër, nga Qeveria kanë thënë se ky institucion nuk tenton ta pengojë punën e medias apo ta lëndojë lirinë e shprehjes.

"Thirrja e ministrit Vitia dje në konferencën për media ishte që prokuroria e shtetit të mbrojë interesin publik dhe shëndetin e qytetarëve nga persona që dëmtojnë procese kaq jetike dhe delikate, duke rrjedhë çerek informacione që janë konfidenciale. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka mandat mbi Prokurorinë e Shtetit. Veprimet e Prokurorisë janë të pavarura. Këto janë pushtete të ndara. Ata që nuk e kanë të qartë këtë, ose njëmend nuk e dinë ose kanë ngecur para 14 shkurtit, kur edhe mund të ketë pasur ndërhyrje të tilla në punën e prokurorisë”, ka thënë zëdhënësi Përparim Kryeziu.