2 perditesime
12:48

Gjobitet kryesindikalisti për organizimin e protestës ku u kërkua lirimi i mjekut Hoti

Kryetari i Sindikatës së Qendrës Kryesore Familjare të Podujevës, Sheqir Maliqi, është gjobitur me 200 euro për organizim të protestës në kohë pandemie nga Inspektorati Sanitar dhe 100 nga Policia e Kosovës.

Në mëngjesin e së premtes, punëtorët shëndetësorë protestuan kundër suspendimit dhe arrestimit të pulmologut Ibrahim Hoti, i cili kishte refuzuar t’u ofrojë shërbime dy personave pas orarit të punës.

Ata kanë marshuar edhe para Gjykatës Themelore të Prishtinës, dega në Podujevë.

Gjatë këtyre aktiviteteve, nuk janë ofruar shërbime shëndetësore.

12:27

Mjeku Hoti shtrihet në Emergjencën e Podujevës për shkak të shqetësimeve pas arrestimit

Mjeku Ibrahim Hoti është duke u trajtuar në Qendrën Emergjente në Podujevë, që prej mëngjesit të së premtes.

Sipas kryesindikalistit në QKMF-në e Podujevës, Sheqir Maliqi, gjendja e tij është e rëndë.

Shkak për gjendjen e tij janë bërë shqetësimet e fundit.

Sipas Maliqit, Hoti nuk ka pasur probleme shëndetësore më herët, por këtë gjendje e ka për shkak të shqetësimeve pas arrestimit.

Hoti u arrestua të enjten pasi refuzoi t’u japë ndihmë disa qytetarëve në QKMF-në e Podujevës, ndërsa edhe u suspendua nga puna.

 

10:52

Kërkohet lirimi dhe kthimi në punë i mjekut që s’u ofroi shërbime pacientëve në Podujevë

Punëtorët shëndetësorë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë kanë protestuar kundër suspendimit dhe arrestimit të pulmologut Ibrahim Hoti, i cili kishte refuzuar t'u ofrojë shërbime dy të moshuarve pas orarit të punës.

Ata kanë filluar protestën para QKMF-së, ndërsa kanë marshuar fillimisht para Gjykatës Themelore të Prishtinës, dega në Podujevë. 

Nga aty kanë shkuar para objektit të komunës, por aty nuk janë lejuar të futen brenda oborrit, pos një grupi i cili ka hyrë brenda objektit të komunës.

Gjatë kohës së protestës, nuk janë ofruar shërbime shëndetësore.

Kryetari i sindikatës, Sheqir Maliqi, ka kërkuar shkarkimin e drejtorit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, Driton Veliu. Ky i fundit, të enjten e ka quajtur të papranueshme dhe aspak në përputhje me etikën profesionale sjelljen e mjekut.

Kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se sjellja e mjekut nuk ka qenë e mirë, porse kjo po ndodhë për shkak të ngarkesës së madhe që kanë punëtorët shëndetësorë pas vakumit që është krijuar me shkuarjen në specializim të disa mjekëve.

Maliqi tha se hapat tjerë do t’i ndërmarrin pas konsultimit me punëtorët shëndetësorë dhe kryetarin e Federatës sindikale.

Ndërkaq, ka reaguar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës e cila ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të mjekut Hoti deri në verifikimin e rastit.

Përndryshe, OMK kërcënon se nëse nuk bëhet një gjë e tillë, do të ndërmarrë masa sipas legjislacionit në fuqi.

OMK-ja vlerësoi se ndaj Hotit është bërë padrejtësi duke e suspenduar dhe duke e arrestuar, pa ju dhënë mundësia e sqarimit dhe pa zhvilluar hetime paraprake.

Lirimin e tij e ka kërkuar edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Hoti është arrestuar të enjten mbrëma pasi ka refuzuar t’u japë ndihmë disa qytetarëve në QKMF-në e Podujevës, ndërsa edhe është suspenduar nga puna. Mjeku Ibrahim Hoti është duke u trajtuar në Qendrën Emergjente në Podujevë, për shkak se gjendja e tij sipas kryesindikalistit është e rëndë.