Arbëri

Inspektorët komunalë ankohen për paga dhe shtesa, paralajmërojnë greva e bojkot

Inspektorët komunalë do të presin deri në fund të muajit prill nga Qeveria e Kosovës për marrë masa tri kërkesa të tyre. Përndryshe kanë thënë se nëse kërkesat e tyre për pagë, shtesa në kohë pandemie e shtesat në rrezikshmëri nuk përmbushen, do të hyjnë në grevë e do të bojkotojnë punën.

Në një letër drejtuar kryeministrit Albin Kurti, inspektorët komunalë pikën e parë problematike e kanë theksuar nivelimin e pagave. Një pagë e inspektorit, sipas tyre, është 358 euro. inspektorët e kanë cilësuar këtë nivel të pagës si në shpërputhje me nivelin-statusin që kanë inspektorët komunalë në bazë të Ligjit për Paga të Nëpunësve Civilë.

Ata janë ankuar edhe për anashkalimin në shtesat për pagë në kohë pandemie duke thënë se kjo paraqet shkelje ligjore dhe mohim të kontributit në kohë pandemie.

Inspektorët kanë kërkuar edhe shtesa në rrezikshmëri, për shkak të angazhimit për zbatim të masave. Sipas tyre, 90 për qind e inspektorëve kanë qenë të infektuar me simptoma të vështira e disa edhe me oksigjenoterapi.

“I nderuar kryeministër, trajtimi i këtyre kërkesave paraqet nevojë imediate për faktin se inspektorët komunalë kanë rol të rëndësishëm në funksionim të sistemit kushtetues-ligjor mbajtje të rendit dhe në mbrojtje të interesit publik. Mohimi i këtij roli dhe anashkalimi në mbështetje nga qeveritë e kaluara, përjashtim përkrahja nga ju përmes shtesave nga vendimi i qeverisë tuaj i vitit të kaluar, paraqesin fyerje të vetë institucionit dhe minim të rezultateve të realizuara”, thuhet në letrën e inspektorëve drejt kryeministrit Albin Kurti. “I nderuar kryeministër, ngritja dhe përkrahja e inspektorëve komunalë nënkupton ngritje të shërbimeve, forcim të rendit ligjor, mbrojtje të shëndetit publik (që nënkupton mbikëqyrje të operatorëve të cilët ofrojnë shërbime publike dhe të tjera, përfshirë edhe luftimin e pandemisë COVID-19), mbrojtja dhe ngritja e nivelit të cilësisë së ushqimit, luftim të ekonomisë joformale, mbrojtje të të drejtave të konsumatorit, sigurinë e produkteve në treg, parandalimin e ndërtimeve pa leje, ndërtimeve të parregullta, mbikëqyrjen e objekteve në ndërtim (që nënkupton sigurinë e tyre), rrënimin e objekteve, ngritje të shërbimeve komunale, mbrojtje të rendit dhe rregullit komunal, mbikëqyrje të operatorëve që ofron shërbime qytetare etj.”.