Partia Demokratike e Kosovës ka hedhur një varg akuzash në drejtim të qeverisjes “Kurti II”.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë në një konferencë për media, se Kosova është në mesin e vendeve të fundit në botë sa i përket vaksinimit e ndërkohë kryeministri Kurti siç ka thënë, të vetmen gjë që ka bërë është bllokimi i Kosovës.
Sipas tij, derisa Kosova është e bllokuar, ministrat dhe deputetët e partisë së tij shkojnë në Shqipëri për të bërë fushatë për zgjedhjet e prillit atje.
“Që nga dita kur Kurti është bërë kryeministër, në Kosovë janë shënuar mbi 14 mijë raste me COVID-19 dhe mbi 200 qytetarë kanë humbur jetën. E vetmja gjë që ka ndërmarrë kryeministri ka qenë izolimi i Kosovës përderisa ministrat dhe deputetët e tij e kanë qa këtë rrethim dhe kanë dalë në Shqipëri për të bërë fushatë”, ka thënë Tahiri.
Ai e ka quajtur precedentë të rrezikshëm faktin që kryeministri i Kosovës garon me kandidatë për deputetë në zgjedhjet në Shqipëri.
“Një precedent i tillë çfarë po ndodh në Republikën e Shqpërisë nga LVV-ja dhe Kurti është i rrezikshëm dhe i dëmshëm për raportet mes të dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë ai.