Arbëri

Hapësira ajrore e Shqipërisë jashtë kontrollit, Qeveria e cilëson tentim grusht shteti

Hapësira ajrore e Shqipërisë jashtë kontrollit, Qeveria e cilëson tentim grusht shteti
 

Hapësira ajrore e Republikës së Shqipërisë që nga mëngjesi i së mërkurës është jashtë kontrollit. Për pasojë janë pezulluar të gjitha fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, i vetmi në Shqipëri. Gjashtëdhjetë kontrollorë të trafikut ajror të “Albcontrol” kanë firmosur deklaratën e paaftësisë së përkohshme për shkak, sipas tyre, të stresit të vazhdueshëm dhe uljes së pagave prej datës 24 prill 2020. Ky vendim ka sjellë dhe bllokimin e punës dhe pezullimin e të gjitha fluturimeve në Aeroportin e Rinasit.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e ka cilësuar këtë veprim si grusht shtet, ku, sipas saj, janë të përfshirë ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta. Në një konferencë për shtyp nga aeroporti i Rinasit, Balluku shpjegoi se ulja e pagave të këtyre punonjësve ka ardhur si pasojë e rënies së trafikut ajror për shkak të pandemisë së COVID-19, ndërkohë që shteti nuk mund të kompensojë të ardhurat e munguara, pasi, deri më tani nuk ka pasur asnjë implikim financiar në këtë drejtim të trafikut ajror.