Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se Albin Kurti ka mendësi autoritare dhe ai kërkon pushtet absolut.
Krasniqi ka thënë se opozita sot ka parandaluar ngufatjen e demokracisë të cilën siç ka thënë, Albin Kurti dhe vartësitë e tij u munduan që të kontrabandojnë.
“Sot u tentua që krejt një proces i tillë të kamuflohet dhe kontrabandohet brenda disa ore duke krijuar shantazh mbi institucionet. Do të ballafaqohemi me situata të tilla në vazhdimësi sepse ky është qëllimi i kësaj qeveri. Nuk do të nënshtrohemi ndaj çfarëdo shantazhi apo presioni të kësaj qeverie”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka kritikuar edhe kandidaten për presidente Vjosa Osmani duke thënë se ajo do të duhej të përfaqësonte unitetin e popullit, ndërkaq siç ka thënë, Osmani nuk e ka ofruar as dorën e bashkëpunimit.
“Nuk mund të kemi një president që së paku nuk e ofron dorën e bashkëpunimit me partitë tjera. Sot përsëri kam drojë që Albin Kurti po e shpërfaq atë që e ka bërë në mandatin e kaluar abstenim dhe dezertimin para besimit që ka marrë”, ka thënë Krasniqi.
Me 65 vota për, 39 kundër dhe asnjë abstenim nuk u arritën 2/3 e votave të kërkuara që shqyrtimi i Projektligjit për Zgjedhje të bëhet me procedurë të përshpejtuar siç kërkoi Qeveria.