S’do të tolerojmë më shkelje, është zotimi që ka dhenë ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, pas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë më 2020, e në të cilin theksohej se në Kosovë, shumë zyrtarë të korruptuar vazhdojnë të jenë në pozita në sektorin publik.
Lidhur me këtë Sveçla ka thënë se ndaj sfidave të identifikuara do të ketë veprime konkrete për t’i tejkaluar.
“Si parim udhëheqës do të kem mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke u bazuar në vlera të përbashkëta si dinjiteti, drejtësia, barazia, respekti dhe pavarësia”, ka thënë ai në postimin e tij në Facebook.
“Me vëmendje lexova Raportin e publikuar sot për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2020, publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Jemi të vetëdijshëm se kemi përpara shumë sfida, të cilat dhe ky raport i thekson, përfshirë korrupsionin e zyrtarëve qeveritarë e mosndëshkimin e tyre, kufizimet e tepruara ndaj mediave, dhunën ose kërcënimet ndaj gazetarëve. Po ashtu mungesa e integritetit dhe ndëshkimit dhe në institucionet e sigurisë, përfshirë dhe rastet e keqtrajtimit të të paraburgosurve nga Policia janë problematika me të cilat institucionet përkatëse përballen. Pavarësisht numrit të këtyre fenomeneve, këto veprime dëmtojnë punën e mirë të shumë zyrtarëve policorë që kryejnë detyrën me shumë integritet e profesionalizëm. Si ministër e si qeverisje e re nuk do t’i tolerojmë rastet e tilla të shkeljeve”, ka shkruar ai.
Në raportin e DASH-it bëhet e ditur se ka pasur tentim të frikësimit të mediave përmes zyrtarëve publikë, politikanëve, bizneseve e grupeve fetare.
Aty thuhet se zyrtarët e korruptuar në disa raste kanë shpëtuar pa u ndëshkuar.