Arbëri

Parlamenti Evropian përsërit thirrjen për njohjen e Kosovës

 

Kjo thirrje vazhdon të mbetet në raportet e Parlamentit Evropian tash e sa vjet, dhe u përsërit edhe në raportin e fundit, që u miratua në seancën plenare të së enjtes me 472 vota për, 165 kundër dhe 41 abstenime. Pos kësaj, PE-ja e ka përsëritur edhe thirrjen bërë vendeve anëtare, që ta miratojnë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ajo që u miratua para një muaji në Komisionin për politikë të jashtme, u konfirmua edhe nga i gjithë Parlamenti Evropian, në seancën plenare të së enjtes: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, përderisa pesë shtetet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta bëjnë këtë sa më parë. Kjo thirrje vazhdon të mbetet në raportet e Parlamentit Evropian tash e sa vjet, dhe u përsërit edhe në raportin e fundit, që u miratua në seancën plenare të së enjtes me 472 vota për, 165 kundër dhe 41 abstenime. Pos kësaj, PE-ja e ka përsëritur edhe thirrjen bërë vendeve anëtare, që ta miratojnë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Por këto porosi nga Parlamenti Evropian nuk do të duhej të entuziazmonin shumë qytetarët e Kosovës. Arsyeja është se rezolutat e Parlamentit Evropian, ndonëse kanë fuqi politike, nuk janë obliguese për vendet anëtare të BE-së. U pa kjo edhe në paraqitjen në debat të sekretares shtetërore nga Portugalia, Ana Paula Zacarias, e cila vetëm përsëriti atë që e thonë tash e tre vjet shtetet që e kanë kryesimin e BE-së, e kjo është: “Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që liberalizimi i vizave e ka për qytetarët e Kosovës dhe do të vazhdojmë të merremi me këtë çështje”.