Arbëri

Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është në rend dite

Në Kosovë përsëri është ngjallur një lloj shprese për liberalizimin e vizave, pasi Parlamenti Evropian me shumicë të madhe votash kërkoi që kjo të ndodhë sa më shpejt. Por, kjo nuk ndryshon asgjë, sepse Parlamenti Evropian një thirrje të tillë e ka bërë edhe viteve të shkuara. Në Këshillin e BE-së liberalizimi i vizave as nuk është në rend dite, thonë diplomatët në Bruksel

Javën që shkoi, në një seancë plenare, Parlamenti Evropian miratoi Raportin për Kosovën me shumicë të madhe votash. Sikur edhe më herët, ky raport përmendi sfidat me të cilat përballet Kosova, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën e gjyqësorit, ruajtjen e mjedisit, shkollimin dhe shëndetësinë.

Por, përsëriti dy thirrje që në Kosovë u mirëpritën. Thirrjen që pesë shtetet e Bashkimit Evropian të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si shtet ta bëjnë një gjë të tillë sa më shpejt dhe që Këshilli i BE-së ta miratojë pa vonesa vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të vetmit në rajon dhe më gjerë që nuk gëzojnë të drejtën për të udhëtuar në vendet e BE-së dhe në shtetet e tjera të Schengenit pa viza.

Të dyja këto thirrje u mirëpritën në Kosovë. Sepse nuk ka shumë lajme të mira për Kosovën dhe gjithçka që tingëllon mirë si lajm mirëpritet.

Por, as njëra e as thirrja tjetër nuk janë diçka e re. Parlamenti Evropian, duke qenë institucion i BE-së ku të zgjedhurit e qytetarëve miratojnë raportet dhe vendimet me shumicë, ka qenë gjithmonë në favor të pavarësisë së Kosovës dhe ka kërkuar liberalizimin e vizave, madje edhe para se Komisioni Evropian të konstatonte se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet. Por, problemi me këto thirrje qëndron te fakti se ato nuk janë ligjërisht obliguese për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, Parlamenti Evropian së paku po e mban të hapur si temë çështjen e Kosovës dhe presionin ndaj vendeve anëtare, të cilat e kanë harruar Kosovën dhe e përmendin atë vetëm në kontekstin e dialogut me Serbinë e asgjë tjetër.

“Parlamenti Evropian mbetet i bashkuar fuqishëm krah popullit të Kosovës. Ata janë me shumicë të madhe në favor të BE-së. Në fakt, asnjë popull në rajon nuk shpreh më shumë mbështetje për BE-në sesa populli i Kosovës. Por, kjo nuk është diçka që duhet të kuptohet nga ne si e garantuar dhe ne duhet po ashtu t’i përmbushim obligimet dhe premtimet tona, sidomos për liberalizimin e vizave”, pati thënë javën që shkoi në seancën plenare të Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, raportuesja për Kosovën.

Ajo ka shtuar se “ndan frustrimin me qytetarët e Kosovës për mungesën e liberalizimit të vizave” dhe ka bërë ftesë për vendet anëtare të BE-së që në Këshill të marrin më në fund vendimin për heqjen e vizave për Kosovën.

Në Kosovë përsëri është ngjallur një lloj shprese për liberalizimin e vizave, pasi Parlamenti Evropian me shumicë të madhe votash kërkoi që kjo të ndodhë sa më shpejt. Por, kjo nuk ndryshon asgjë, sepse Parlamenti Evropian një thirrje të tillë e ka bërë edhe viteve të shkuara. Në Këshillin e BE-së liberalizimi i vizave as nuk është në rend dite, thonë diplomatët në Bruksel. U pa kjo edhe nga paraqitja e sekretarit të Shtetit për Çështje Evropiane në qeverinë e Portugalisë, Ana Paula Zacarias, shtet që ka kryesimin e radhës së BE-së, në debatin në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

Duke folur në emër të Presidencës portugeze, ajo vetëm tha se “Portugalia njeh rëndësinë që liberalizimi i vizave ka për qytetarët e Kosovës dhe do të vazhdojë të merret me këtë çështje”. Ky formulim është i njëjtë me ata të presidencave të mëhershme, të cilat në fakt nuk bënë asgjë për këtë çështje – aty-këtu testuan vullnetin e shteteve anëtare dhe hoqën dorë edhe nga ideja që ta vënë në rend të ditës.

Pasi as Gjermania, përkundër premtimeve dhe mbështetjes, nuk ishte në gjendje apo nuk deshi të insistojë ta shtyjë përpara këtë vendim, atëherë pritjet nga Presidenca e Portugalisë janë edhe më të vogla.

Presidenca gjermane ishte një rast i humbur dhe është i madh numri i diplomatëve të shteteve të tjera të BE-së që besojnë se Gjermania nuk ishte e sinqertë kur publikisht premtonte se do të punonte drejt vendimit për liberalizim vizash.

Gjermania si shtet është shprehur se e mbështet këtë proces, është në favor të liberalizimit të vizave, por kjo nuk u vërejt shumë në veprimet e saj kur kishte kryesimin e radhës. Kriza politike në Kosovë, mungesa e suksesit në punën e prokurorisë dhe gjykatave që të dënojnë zyrtarë të lartë për krim të organizuar dhe korrupsion, patën po ashtu ndikim në këtë.

Kryesimi i radhës i Portugalisë përfundon pas tre muajsh dhe nuk ka ndonjë gjasë reale që në muajt e mbetur të jetë në rend dite liberalizimi i vizave për Kosovën. Një moment mund të krijohet gjatë presidencës sllovene, por edhe kjo nuk duket reale, ndonëse Sllovenia do të jetë më e interesuar dhe më e përkushtuar për këtë.

Problemi kryesor vazhdon të mbetet kundërshtimi i Francës, të cilën në këtë e mbështet edhe Holanda, ndonëse kjo e fundit nuk është edhe aq e prerë në kundërshtime. E, Franca do ta ketë kryesimin e radhës vitin që vjen, vit ky që do të jetë edhe zgjedhor në këtë vend.

Kështu, Kosova në rrethanat ekzistuese mund të ketë vetëm simpati, por jo edhe gjasa reale ta fitojë së shpejti liberalizimin e vizave.