Arbëri

JGP-ja dhe Lista Serbe akuzohen për presion mbi komunitetin goran

Pas 30 vjetësh punë si mësues në shkollën fillore “9 Maji” në fshatin Rapçë të Dragashit, Fehim Sali është suspenduar nga shkolla në sistemin paralel, për shkelje të rëndë të detyrës.

Suspendimi i tij ishte bërë pasi ai shpalli kandidaturën në listën e subjektit goran, Zajeno.

Nga presioni për tërheqje nga lista, ai dhe zyrtarët e partisë së tij e akuzojnë subjektin tjetër goran, JGP, që, sipas tyre, gëzon mbështetje të strukturave paralele në Dragash, si dhe të Listës Serbe.

“Kam pasur shumë telefonata, kërcënime. Kam edhe audio-incizime, kam pasur edhe mesazhe në Viber që vinin nga instanca të ndryshme, që unë të tërhiqesha. Ky ishte synimi i tyre. E dini, tash në Kosovë e shohim se si vota e boshnjakëve është atraktive dhe askush nuk merret me votën e goranëve. Kësisoj votat janë vjedhur në një mënyrë të kulturuar, pasi mua qysh para zgjedhjeve më kanë eliminuar (nga gara), më kanë suspenduar nga puna, dhe pastaj qytetarët e tjerë të Gorës janë frikësuar. Kam shumë miq të cilët më janë lutur, më kanë premtuar se do të votojnë për koalicionin tonë, por më pas thanë: “shiko, më fal...kur ty të eliminuan çfarë mbeti për ne”, ka thënë mësuesi i suspenduar, Fehim Sali.

Kryetari i subjektit Zajeno, Rexhep Kamberi, flet për presionin që ushtrohet mbi votuesit goranë, dy të tretat e të cilëve, si thotë ai, janë të përfshirë në sistem paralel, qoftë përmes pagave apo skemave sociale.

“Kjo përsëritet tash e shtatë vjet, pra prej vitit 2014, kur u themelua JGP-ja e Adem Hoxhës. Matrica është e njëjtë, skenari po ashtu. Ne, si partia më e vjetër dhe e vetme gorane, gjithherë kemi folur për këto parregullsi, pra për pamundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve fer dhe demokratike. Nuk kemi gjetur një mirëkuptim, si nga ana institucioneve kosovare ashtu edhe nga partitë e tjera politike, para së gjithash e kam fjalën për partitë boshnjake, të cilat janë qenë në dijeni për këtë, kanë qenë saktë të njoftuara se çfarë po ndodh, porse kanë ngritur zërin në mbrojtje të votës së goranëve. Tash kur ata ndihen të cenuar, janë zgjuar. Për ne kjo s’është gjë e re”, është shprehur Kamberi.

Derisa Kamberi pohon se janë minimum tre kandidatë për deputetë që janë suspenduar nga puna, ai thotë se subjekti i tij nuk ka lajmëruar rast në Prokurori, shkaku që e kanë humbur besimin në institucione.

Ai pret presion edhe më të madh në zgjedhjet lokale, në tetor.

Së fundi në media është raportuar edhe për largim nga puna të një punëtori serb të sigurimit fizik, të kontraktuar nga Komuna e Ranillugut, pasi kishte refuzuar ta votonte iniciativën UZAH të drejtuar nga Adrijana Hoxhiq.

Prokuroria Speciale nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me pretendimet për presion përmes pagesave të Serbisë.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të KOHËS, përgjigje nuk ka dhënë as kryetari i JGP-së, Adem Hoxha, e as deputetja e rizgjedhur e Listës Serbe, Jasmina Dediq, që është shefe për arsim paralel serbisht në Kosovë.