Arbëri

Nisen vaksinat e para anti-COVID nga India drejt Kosovës

Vaksinat anti-COVID, përmes programit COVAX, janë nisur drejt Kosovës nga India, ka mësuar KOHA. Megjithatë, për shkak të paqartësive që po ndodhin në kuadër të shpërndarjes së vaksinave përmes këtij programi, ende s’dihet kur do të arrijnë ato në Kosovë.

Përmes programit COVAX, Kosova pritet të përfitojë mbi 100 mijë doza të vaksinës së “AstraZenecas”. S’dihet për shifrën e dozave të nisura drejt Kosovës.

Vaksina e kompanisë “AstraZenca” është e vetmja në pritje të së cilës është Kosova. Përveç saj, vendi nuk ka marrëveshje me ndonjë prodhues tjetër vaksinash.

Por, vaksina e “AstraZenecas”, që është siguruar nga mekanizmi COVAX, në pritje të së cilës është Kosova tash e disa muaj, është pezulluar nga përdorimi nga më shumë se 10 shtete. Kjo vaksinë është miratuar për përdorim te të rriturit në më shumë se 50 vende të botës dhe është dëshmuar e sigurt dhe efektive në studimet e bëra në Britani, Brazil dhe Afrikë të Jugut, por që efikasiteti i saj u vu në dyshim pas raportimit të disa rasteve të mpiksjes së gjakut midis personave që e kanë marrë një dozë të kurës.

Autoritetet në vend kishin premtuar në fillim të vitit se vaksinimi do të niste qysh në muajin shkurt, por një gjë e tillë ende s’ka ndodhur.

Kosova mbetet ndër pak vende që ende s’kanë nisur me procesin e vaksinimit kundër koronavirusit. Nga fillimi i pandemisë, në Kosovë kanë vdekur 1736 persona si pasojë e virusit, ndërsa janë regjistruar 79 mijë e 793 raste.