Arbëri

Një vit pandemie çrregulloi procesin mësimor

Këtë javë bëhet 1 vit qëkur pandemia Covid-19 çrregulloi procesin mësimor, fillimisht me mbylljen disamujore të shkollave e më pas me mësim sipas skenarëve. Mësimdhënësit dhe nxënësit konsiderojnë se ky vit nuk ka qenë aspak i lehtë dhe pati rënie të cilësisë. Ata shpresojnë që në shtator të kthehet normaliteti në shkolla

I vështirë dhe me shumë sfida e probleme po konsiderohet procesi mësimor gjatë periudhës së pandemisë. Të enjten bëhet 1 vit qëkur në Kosovë u mbyllën shkollat për 6 muaj pas rasteve të para me Covid. Mësimi online gjatë asaj periudhe e më pas sipas 3 skenarëve solli vështirësi në arsim.

Sipas mësimdhënëses Valdrina Nekoviqi, procesi mësimor gjatë kësaj kohe nuk ishte i lehtë dhe u shkaktoi shumë stres dhe frikë.

“Ishte stresuese për të gjithë, sepse gjithmonë e mendonim mos po infektohet dikush, nxënësit, mësimdhënësit apo edhe mbyllen grupet. Ka pasur raste kur është mbyllur ndonjë grup i klasës dhe është organizuar në të njëjtën kohë mësimi në klasë dhe në Zoom apo online”, thotë ajo.

Pasojat nga ky çrregullim i procesit mësimor thotë se tashmë janë evidente.

“Pasi që planprogrami është pak i ngjeshur atëherë shkurtimi i orarit, mbajtja e mësimit në dy grupe mendoj që në një anë paksimi i nxënësve në grupe e ka pasë të mirën e vet, por në anën tjetër me 30 minuta nuk janë arritur rezultate sa duhet, sa janë të pritshme, se ndryshe është kur organizohet ora brenda 45 minutave dhe normal që ka pak rënie”, shton ajo.

Mësimdhënësi në gjimnazin “Sami Frashëri”, Kushtrim Bekteshi, tregon se problemin kryesor e kanë pasur gjatë mësimit online.

“Së pari problem ka qenë në implementimin e këtyre platformave që duheshin për mësimin online, meqenëse mësimdhënësit përgjithësisht nuk kanë qenë të familjarizuar me to dhe ajo ka qenë mbase periudha e parë kur jemi ballafaquar me këtë sfidë dhe çështja kryesore ka qenë përvetësimi i atyre platformave”, thekson ai.

Përveç shumë problemeve teknike, sipas tij, mësimi sipas skenarëve ka bërë që të bien serioziteti e cilësia në arsim.

“Kjo ka shkaktuar jashtëzakonisht problem për faktin se duhej planifikim i dyfishtë. Një herë duhej ta planifikoje se çka po bën në momentin që je në shkollë, pastaj në momentin që nuk je në shkollë dhe e dimë që kjo faza e testimeve dhe vlerësimeve është paksa më sfiduese kur kemi të bëjmë me mësimin online, prandaj mbi bazën e kësaj besoj se na ka shkaktuar shumë probleme”, thekson ai.

Mësimdhënësit dhe nxënësit shpresojnë që vitin e ardhshëm shkollor të kthehet normaliteti në shkolla me orë të plota, pa u ndarë nxënësit në grupe e me shumë aktivitete.

“Dëshira ime si nxënës kishte me qenë me u kthy në gjendjen e mëparshme siç kemi qenë viteve të kaluara sa më shpejt dhe me i bashku grupet e klasave dhe besoj se gjithçka kish qenë më mirë nëse ishim kthyer në gjendjen në të cilën kemi qenë përpara”, thotë Kron Gashi, nxënës në gjimnazin “Sami Frashëri”.

Sikurse gjysmëvjetori i parë edhe ai i dyti ka filluar sipas 3 skenarëve, A, B dhe C. Varësisht nga paraqitja e rasteve, shkollat kalojnë nga 2 javë në mësim online.

Sipas të dhënave të Ministrisë, nga shtatori deri në dhjetor u infektuan me Covid-19 gjithsej mbi 4 mijë mësimdhënës e nxënës në shkolla.