1 perditesime
13:02

Pranohet ankesa e partive minoritare, anulohen votat në komunat me shumicë serbe

Paneli Zgjedhor i Ankesave e Parashtresave ka aprovuar ankesat e partive minoritare, në lidhje me keqpërdorim të votës së minoriteteve.

Partive boshnjake u janë anuluar në tërësi votat në komunat Zubin Potok, Shtërpcë, Ranillug, Graçanicë, Partesh, Kllokot e Novobërdë. Më saktësisht subjektit politik Ujedinjina Zajednica të Adriana Hoxhiqit, Koalicionit VAKAT, Social Demokratskas – Unija SDU dhe Nova Demokratska Strankas.

Të anuluara janë: 407 fletëvotime në Zubin Potok, 499 në Shtërpcë, 255 në Ranillug, 416 në Graçanicë, 196 në Partesh, 249 në Kllokot dhe 254 në Novobërdë.

Koalicionit Vakat (8 fletëvotime në Shtërpcë, 211 në Ranillug, 6 në Graçanicë, 34 në Partesh, 9 në Kllokot, 255 në Novobërdë).

Të Social Demokratska - Unija SDU janë anuluar: 1 në Shtërpcë, 4 në Ranillug, 11 në Graqanicë, 147 në Kllokot, 2 në Novobërdë

Të Nova Demokratska Stranka: 2 në Shtërpcë, 1 në Ranillug, 6 në Graçanicë, 2 në Kllokot dhe 3 në Novobërdë.

Pjesërisht janë anuluar votat e Ujedinjena Zajednica Adrijana Hoxhiq dhe Koalicionit Vakat në komunat Zveçan, Leposaviq e Mitrovicë të Veriut.

Hoxhiqit i janë anuluar 157 fletëvotime në Zveçan, 973 në Leposaviq e 799 në Mitrovicë të Veriut dhe Vakatit 60 në Leposaviq

Nasha Iniciatica me seli në Mitrovicë, Lista Boshnjake Unioni Social Demokrat dhe Nova Demokratska Stranka, kishin dorëzuar ankesë, duke pretenduar se votat e partive boshnjake kanë shënuar rritje për 49 për qind, pra rreth 7000 vota krahasim me zgjedhjet e kaluara. Një rritje e votës ishte thënë se ka ardhur për një arsye të vetme, ku si asnjëherë më parë komuniteti serb në Kosovë votoi për përfaqësuesit boshnjak.

PZAP-ja ka konstatuar se votat e Adriana Hoxhiqit dhe Vakatit, janë në dispropocion me numrin e banorëve të komunitetit boshnjak, të cilët i përkasin, paraqesin vota të pavlefshme, për faktin se është standard jo demokratik, që me votat e votuesve të një komuniteti të sigurohet e drejta e përfaqësimit të një komuniteti tjetër.

Gjithashtu, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka pranuar pjesërisht ankesën e subjekteve politike boshnjake lidhur me fletëvotimet që i përkasin subjektit politik Romani Iniciativa.

Fletëvotimet e anuluara të Romani Iniciativa janë: 254 në Leposaviq, 265 në Novobërdë, Ranillug 159, Partesh 1+2, 147 Kllokot.

Thuhet se subjekti Romani Iniciativa, ka marrë vota më shumë se që ka pasur votues potencial të komunitetit rom, për të votuar ditën e 14 shkurtit në vendvotimet e caktuara në komunat në fjalë.

Votat e marra nga Romani Inciativa, janë në dispropozicion me numrin e banorëve të komunitetit rom, e të cilat paraqesin vota të pavlefshme, për faktin se është standard jodemokratik, që me votat e votuesve e të një komuniteti tjetër të sigurohet e drejta e përfaqësimit e një komuniteti tjetër.

PZAP-ja po ashtu sot ka aprovuar ankesën e Florentina Gjergjajt të AAK-së, që të rinumërohen fletëvotimet me kusht në të gjitha Komunat e Kosovës dhe të gjitha fletëvotimet nga diaspora, sa i përket kandidatëve të AAK-së. Gjergjaj kishte akuzuar publikisht bashkëpartiaken Meliza Haradinaj-Stublla se ia kishte vjedhur votat, derisa kjo e fundit kishte paralajmëruar se do ta padiste Gjergjajn.

PZAP ka njoftuar se ka aprovuar të bazuara në total 16 apele, pjesërisht të bazuara 9 apele, ka refuzuar 177 apele, ka hedhur të parregullta dy dhe një të pasafatshme.

Palët kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Supreme 24 orë brenda afatit të pranimit të vendimit, e Supremja e ka obligim të vendosë brenda 72 orëve në momentin e paraqitjes. PZAP-ja ka njoftuar se vendimet e Gjykatës Supreme janë përfundimtare.

10:50

PZAP-ja pezullon gjashtë komisionarë të një vendvotimi në Suharekë, urdhëron rinumërim të votave

Paneli Zgjedhor i Ankesave e Parashtresave (PZAP) ka aprovuar kërkesën e Albena Reshitajt të AAK-së për të rinumëruar votat e saj në qendrën e votimit 2404A/01R, në Suharekë. Ndërsa gjashtë komisionarë nga kjo qendër janë pezulluar për pesë vjet nga procesi zgjedhor.

Kryesuesi i vendvotimit Ermal Zenelaj, dhe anëtarët Jehona Zenelaj, Jeton Kokollari, Ernard Gashi, Floriana Zenelaj e Glodiana Zenelaj janë pezulluar për pesë vjet nga procesi zgjedhor si kandidatë, apo si pjesë administrative e një organi zgjedhor të menaxhuar nën autoritetin e KQZ-së.

Reshitaj ishte ankuar se në këtë vendvotim kishte 31 vota, sipas deklaratës së vëzhgueses Adelina Krasniqi, por se në faqen e KQZ-së figurojnë 0 vota. PZAP ka zhvilluar hetimet dhe nga hetimi në QNR ka konstatuar se Reshitaj kishte 30 vota dhe një ishte e pavlefshme. Kështu që është urdhëruar të rinumërohen votat e saj në këtë vendvotim, e janë pezulluar gjashtë komisionarët në këtë vendvotim, që janë nënshkruar në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve (FRK).

PZAP ka aprovuar edhe një kërkesë të ish-drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj, kandidat nga radhët e PDK-së për deputet për rinumërim të votave. Votat e Qalajt do të numërohen në katër vendvotime, dy në Vushtrri e dy në Mitrovicë.

Ankesa i është refuzuar edhe kandidatit për deputet nga lista LDK-AKR, Jetlir Zyberajt. Pas refuzimit, Zyberaj ka bërë të ditur se do i drejtohet prokurorisë ndërsa vendimin e Panelit e ka cilësuar si skandaloz.

“PZAP-it nuk i bën përshtypje fare deklarata e personit(personave) që vota nuk u figuron në formular. Ky është skandal. PZAP po legjitimon vjedhjen e votës”, thuhet në reagimin e tij.

E Besa Ismaili Ahmetit të PDK-së do t’i numërohen votat në 15 vendvotime, nëpër Pejë, Gllogoc, Mitrovicë të Jugut, Vushtrri, Dragash e Skenderaj.

Po ashtu është aprovuar kërkesa e Lahi Ibrahimajt të AAK-së dhe do të rinumërohen votat e kandidatëve të AAK-së në dhjetë vendvotime.

E po ashtu me kërkesë të Albana Bytyqit të AAK-së do të rinumërohen votat e kandidatëve të kësaj partie në tetë vendovtinme.

Kërkesa e Lirije Kajtazit të LDK-së për rinumërim të pesë vendvotimeve është vlerësuar si e pabazuar nga PZAP. Po ashtu ankesa e ushtrueses së ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj, për rinumërim të votave në fshatrat Zaplluzhë e Shajmë është vlerësuar e pabazuar nga PZAP.

Dje ishin aprovuar dy kërkesa për rinumërim të Isak Shabanit të PDK-së dhe Zikreta Alitit të NDS-së.

Nga ora 13:00, PZAP do të dalë me njoftim për të gjitha vendimet e marra ndaj ankesave të ushtruara kryesisht nga kandidatët e partive për rinumërim.