Arbëri

Berisha: Lista Serbe pësoi rënie në vota aty ku u rritën parti të caktuara të komuniteteve tjera

Veton Berisha, kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane, ka thënë se rënia e votave për Listën Serbe në vendvotime të caktuara dhe rritja e votave për parti të caktuara të komuniteteve të tjera në ato vendvotime, ka bërë që të ngrihen dyshime për një orkestrim votash nga Lista Serbe që të shtrijë ndikimin e saj në Kuvend përpos 10 ulëseve të veta të rezervuara.

Duke shprehur besimin që institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë “devijimin e vullnetit të popullit”, Berisha në Interaktiv të KTV-së ka thënë se në ankesën që kanë bërë të premten partitë e komuniteteve joserbe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa bëhet fjalë për 117 vendvotime të kontestuara.

“Ne sot kemi shfrytëzuar afatin ligjor, të drejtën tonë ligjore. Kemi dorëzuar një ankesë në PZAP dhe kemi përmbledhë të gjitha të dhënat që ne pretendojmë. Po besojmë fuqishëm në institucionet e Kosovës që ky fenomen dhe votat e orkestruara të anulohen e të kthehet vullneti i qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Ne po e kontestojmë të ashtuquajturën Iniciativa Rome që ka dalë pak para zgjedhjeve. S’është e njohur për publikun. Pa bagazh politik, por që për pak ditë angazhim ka marrë mbi 4 mijë vota. Janë diku 117 vendvotime të kontestuara. Në 95 për qind të vendvotimeve, votues potencial të atyre vendvotimeve janë persona, banorë, të përkatësisë etnike serbe. Po aludojmë dhe po e lidhim me Listën Serbe sepse kjo është e koordinuar mirë me këtë listë, pasi ajo është përgjysmuar në këto vendvotime, për dallim nga hera e fundit. Për shembull në Graçanicë, ka pas 8 mijë e 233 vota e tash 4 e 31. Rreth 1200 vota tash i ka Iniciative Rome. Aty jetojnë 745 banorë të komunitetit joserb”, ka thënë Berisha.

Ai ka thënë se tash për tash dyshimet i kanë vetëm te Lista Serbe “sepse ajo ka rënie votash në ato vendvotime”.

Sipas tij, 20 vendet e garantuara për komunitetet në Kuvendin e Kosovës, “s’janë të rastësishme”.

“Janë 100 deputetë që garojnë në garën e rregullt që mund të votohen nga të gjithë, por duhet t’i nënshtrohen pragut e jo një parti rome që garon në kuadër të kësaj liste, por nëse garon te grupi i komuniteteve ka përgjegjësi tjetër që i zgjedhuri duhet të zgjidhet nga ata që i takojnë të njëjtit komunitet. Ka raste kur PZAP-ja ka vendosur për raste kur ka larguar dikë nga lista, kur ka qenë një shqiptar te ndonjë listë e caktuar... ka shpjeguar se i zgjedhuri duhet të jetë i zgjedhur nga i njëjti komunitet sepse ai i di më së miri problemet e komunitetit të tij”, ka shtuar ai.

“Në aspektin e orkestrimit dhe ndarjes votave, dyshojmë vetëm te Lista Serbe për momentin. Për elementin politik, sigurisht, e kemi praktikën e komunitetit goran, ku ka pasur gjithmonë mbështetjen e serbëve sepse ka qenë në shërbim të tyre dhe kjo na bën me i pas dyshimet tona. Ngritja nga 10 në 14 ose 15 deputetë e pengon vendimmarrjen në institucionet e Kosovës. E dini se sa i rëndësishëm është një deputet në Kuvend. Nuk duhet të bëhet eksperimente me komunitete. Unë besoj fuqishëm në PZAP dhe rasti nuk do të shkojë më tutje, sepse besoj në profesionalizmin e tyre. Ne kemi pas mbështetje edhe të ekspertëve të fushës, na kanë ndihmuar. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ankohemi në Kushtetutë. Ka pak elemente që mund ta verifikosh këtë situatë, pasi janë vota të mirë koordinuara. Elementi kryesor është ai që Lista Serbe ka pasur rënie në vendvotimet me shumicë serbe. Nëse arrihet që votat të anulohen në këto vendvotime atëherë do t’i kthehej mandati deputetit legjitim, në këtë rast partisë sonë”, ka thënë Berisha.