Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka komentuar reagimet që janë shkaktuar pas pamjeve që dolën nga zyra e emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, e ku dukej harta e Ballkanit Perëndimor me Kosovën brenda territorit të Serbisë.
Vetë Lajçaku reagoi duke thënë se kjo është hartë zyrtare e BE-së, ndërsa tash Shasha ka thënë se për të janë pajtuar “secili lider i shtetit të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë”.
“Me fjalë të tjera, Lajçaku nuk na i solli hartën, por e gjeti në mesin tonë”, ka shkruar ai në Facebook.
Harta ka thënë se për këtë hartë liderët kosovarë kanë shprehur shqetësim por për shkak të “mirëkuptimit” të pozicionit të BE-së për shkak të mosnjohjes nga pesë shtete anëtare për Kosovën, është dashur të zgjedhin “urtësinë dhe pjekurinë afatgjate shtetndërtuese”. Ai ka bërë të ditur se kjo hartë është përdorur në çdo takim të nivelit të lartë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe në çdo dokument të BE-së për Kosovën.
Riproblematizimin e kësaj çështjeje, Shasha e shpjegon në dy mënyra. Shpjegimi i parë, sipas tij, është se kjo çështje po sillet tash në diskursin publik sepse ekziston “një mungesë e sinqertë e informatave rreth kësaj që thash më lartë dhe njerëz nuk kanë faj, kjo nuk është shpjeguar në diskursin publik asnjëherë mirëfilli, por është hedhur çdo herë nën tepih”.
Si shpjegim të dytë ka thënë se kjo çështje po diskutohet “sepse është vazhdimësi e fushatave dezinformuese të cilat qe një kohë të konsiderueshme kanë për qëllim dobësimin e besimit të qytetarëve të Kosovës në aleancën perëndimore”.
“Kjo e para nuk më brengos, por ajo çfarë më brengos është përkrahja e këtij narracioni anti-perëndimor nga ana e njerëzve të cilët e dinë të vërteten dhe të cilët nuk isha dashur të shndërrohen në karadyzenët e akterëve lindor. Që nga shpallja e pavarësisë BE-ja trajton Kosovën praktikisht të barbarët me vende tjera të rajonit. Kosova ka nisur procesin zyrtar të Stabilizim Asocimi. Kosova është pjesë e çdo mekanizmi dhe strukture rajonale politike dhe ekonomike. Kosova ka lansuar procesin e liberalizimit vizave. Kosova është përfituese e dytë më e madhe në rajon e fondeve të BE-së për kokë banori. Kosova është pjesë e programeve të BE-së, bashkë me të gjitha shtetet e BE-së dhe shtetet e Ballkanit. Pra, në çdo kuptim thelbësor dhe praktik BE-ja trajton Kosovën të barabartë me vendet e rajonit. Patjetër duhet thënë se ka disa dallime margjinale sa i përket trajtimit të Kosovës për shkak pesë vendeve mos njohëse, por kjo asnjëherë nuk ka penguar avancimin e Kosovës në rrugën e saj integruese. Në fakt mund thuhet se në shumë procese, sikur ai i liberalizimi vizave, këto vende kanë përkrahur Kosovën”, ka vazhduar Shasha.
Ai ka thënë se Kosova s’duhet të ketë problem me hartat, por me rritjen e vazhdueshme të korrupsionit e rënien e mirëqeverisjes, rritjen e ndotjes së ajrit, e rënies së gjelbërimit, rritjen e numrit të studentëve e rënien e vendeve të punës.
“Për këtë na duhet të flasim, e jo për hartografinë nëpër skutat e zyrave 2,000 kilometra larg këtij katundit tonë”, ka përfunduar ai.