Arbëri

Kronika Zgjedhore/ Kurti: 100 milionë euro grante dhe subvencione do t’u ndahen fermerëve

Albin Kurti e Vjosa Osmani të enjten kanë kërkuar në Istog e Mitrovicë që të votohet lista e Vetëvendosjes në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit. Nga atje, Kurti u premtoi ndihmë bujqve, derisa shtoi se subvencionet e grantet që do të ndahen për ta nuk do të jepen me librezë partiake, por sipas kritereve

Mitrovicë, Istog, 11 shkurt - Grante dhe subvencione për bujqit në vlerën prej 100 milionë eurosh ka premtuar në Istog, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti. Në ditën e nëntë të fushatës zgjedhore, Kurti ka thënë se Qeveria e tij do të ndihmojë bujqit, blegtorët e fermerët dhe se subvencionet e grantet për ta nuk do të ndahen me librezë partiake. Ai tha që me qeverisjen e tij do të vendosen çmime për drithërat, pemët, perimet dhe qumështin, në mënyrë që mbi atë çmim të blihen mallrat e fermerëve dhe produktet bujqësore të tyre. Kjo, sipas tij, do ta ndalë shfrytëzimin dhe plaçkitjen që u është bërë atyre ndër vite. Kurti ka theksuar se shteti do të sigurojë treg për prodhimet e subvencionuara, e ato që nuk shiten do të shndërrohen në rezerva shtetërore.

“Ministria e Bujqësisë do ta ketë buxhetin 100 milionë euro, 65 për qind subvencione, 35 për qind grante, të cilat do të jepen sipas meritës, performancës, nevojës e asnjëherë sipas librezës së partisë apo mbiemrit të farefisnisë”, ka thënë ai.

Në Istog, Kurti premtoi se bashkë me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, do t’u qëndrojë besnik zotimeve që ka dhënë para qytetarëve.

“Vjosa si presidente, unë si kryeministër do të jemi të përgjegjshëm, të devotshëm, do t’ju shërbejmë juve, kurrë nuk do të ndahemi prej juve. Edhe, besoni Vjosës dhe mua, sepse nuk lëshojmë pe, kurse atyre të tjerëve, siç e dini, ju ka humbur edhe lëmshi”, ka thënë Kurti.

Osmani dhe Kurti bënë homazhe para shtatores së ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova në Istog. Nga atje, Osmani tha se në qeverisjen që synojnë me Albin Kurtin, do t’i japin prioritet krijimit të perspektivës për të rinjtë dhe se kjo ka qenë një ndër arsyet edhe pse janë bërë bashkë në këto zgjedhje. Mes tjerash, ajo tha se do ta luftojnë korrupsionin.

“E rëndësishme është që ta luftojmë armikun tonë të brendshëm, korrupsionin. Dhe, ju e dini kush janë ata që e luftojnë, ju e dini kush janë ata që e kanë përnjëmend dhe ju e dini kush janë ata që nuk dorëzohen para asnjë lloj sfide”, ka thënë ajo.

Gjatë së enjtes, Vetëvendosje fushatë ka zhvilluar edhe në Mitrovicë. Edhe atje, si në Istog, pati më shumë njerëz të mbledhur në një vend sesa që parashihet me masat e Qeverisë për tubimet në vendet e hapura. Në Mitrovicë, Osmani kërkoi votën për numrin e Vetëvendosjes, derisa tha se ky qytet ka qenë gjithmonë pishtar i ndryshimeve dhe se i tillë do të jetë edhe në këto zgjedhje.

“Nëpërmjet qeverisjes sonë, nëpërmjet listës sonë të përbashkët, do të arrijmë që Mitrovicës t’i krijojmë perspektivë, e cila i ka munguar deri më tani edhe në aspektin politik e të sigurisë, e mbi të gjitha në aspektin e zhvillimit ekonomik, duke marrë për bazë nivelin tepër të lartë të papunësisë që ekziston në këtë qytet”, ka thënë ajo.

Ndërsa Kurti kërkoi nga mitrovicasit që ta votojnë Vetëvendosjen, sepse, siç ka thënë ai, Qeveria e tij do t’i ndihmojë Mitrovicës si asnjë qeveri e pasluftës. Ai madje ua ilustroi një shembull që ta ndjekin në ditën e zgjedhjeve.

“Fitorja e 14 shkurtit duhet të jetë si në Llap, pra pa balotazh. Mbi 61 deputetë në mënyrë që t’i bëjmë reformat e shumëfishta me qeveri stabile dhe me shumicë parlamentare të dalë nga shumica popullore e qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Në Mitrovicë, Kurti e Osmani kanë zhvilluar takim edhe me minatorë e sportistë.