Arbëri

Kronika zgjedhore / Kurti: Nuk do të bëjmë koalicione pas zgjedhjeve

Lëvizja Vetëvendosje nuk synon që pas zgjedhjeve të 14 shkurtit të bëjë koalicion me ndonjë subjekt politik. Kjo, pasi për Vetëvendosjen të mjaftueshme do të jenë votat që do t’i marrin në zgjedhjet e parakohshme, pritjet e së cilës janë mbi 51 për qind.

Në një tubim të martën në Shtime, kandidati për kryeministër i kësaj partie, Albin Kurti, u ka kërkuar qytetarëve që ta thellojnë fitoren e Vetëvendosjes, me dalje masive në zgjedhje.

“Kësaj radhe, fitorja nuk është vetëm të dalim të parët, sepse dihet që ne do të dalim të parët, sepse s’ka kush tjetër të dalë i pari. Ama, fitorja është 61 deputetë e më shumë. Na duhet shumicë parlamentare, sepse nuk do të bëjmë koalicione pas zgjedhjeve, se ato i kemi bërë para zgjedhjeve, Vjosa Osmani dhe unë”, ka deklaruar Kurti.

Fitorja me mbi 61 deputetë, sipas Kurtit, do të jetë e mjaftueshme për qeverisje të mirë me mandat mbi katërvjeçar. Kurti ka thënë se synimi i tij si kryeministër e i Vjosa Osmanit si kandidate për presidente nuk do të jetë për të sunduar e për t’u pasuruar, pasi një gjë të tillë ai tha se ta mundëson biznesi dhe jo shërbimi ndaj qytetarëve.

“Edhe zonja Osmani, edhe unë, do të mbesim klasë e mesme. Për t’u pasuruar është biznesi. Ne ju kemi thënë edhe aktivistëve dhe anëtarëve tanë se kush i do paret fort, del në biznes dhe e provon zotësinë dhe fatin e vet. A politika dhe institucionet janë vend ku duhet t’i shërbehet popullit”, ka thënë ai.

Ai është zotuar se bashkë me Osmanin nuk do të zmbrapsen para asnjë krimineli të fuqishëm, dhe se do ta fuqizojnë ligjin që të tillët të zmbrapsen para drejtësisë.

Mes qytetarëve, Kurti ka shpalosur një pjesë të programit qeverisës, duke thënë se me politika të forta sociale do të mposhtet varfëria. Përveç shtesave prej 10 e 20 eurosh në muaj për fëmijët, ai ka thënë se ata do të ndihmohen edhe në mënyra të tjera.

“Familjet që kanë më pak se 5 mijë euro të ardhura në vit, që i bie rreth 400 euro në muaj, do t’i rimbursojmë me nga 150 euro për secilin fëmijë aty. Këto shtesa për fëmijë do të jenë të liruara nga tatimi dhe nuk do të jenë të varura nga skema e asistencës sociale në përgjithësi. Mirëpo një gjë do ta bëjmë po ashtu me rigorozitet. Shtesat për fëmijë do t’i japim në emër të nënës, sepse ne këtu jemi gra e burra bashkë, por ne e dimë fort mirë që gratë, nënat i ruajnë paratë më mirë”, ka shtuar ai.

E kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, e ka theksuar nevojën që Kosova ka të udhëhiqet nga njerëz të pastër para ligjit, duke shpërfillur faktin që partnerit të saj në fushatë i është pamundësuar kandidimi, shkaku i një dënimi për shkelje të ligjit.

“Kosova ka nevojë t’i luftojë ata që e katandisën shpresën tuaj, që e shkelën çdo perspektivë për rininë tonë, e ata që menduan për xhepat e vet e asnjëherë për juve. Ata duhet të shkojnë në opozitë, sepse kanë nevojë edhe ata vetë, por më së shumti ka nevojë Kosova që të udhëhiqet nga njerëz të pastër para ligjit”, ka deklaruar Osmani.

Në Suharekë, Osmani u ka premtuar qytetarëve se do ta mbajë fjalën edhe pas këtyre zgjedhjeve.

“Do t’ju sjellim punësim dhe drejtësi. Ju e dini që ne kur themi punësim dhe drejtësi, atë fjalë e mbajmë. Ata të tjerët po japin premtime, sepse e dinë që nuk do të jenë në qeveri, sepse do të humbasin keq”, ka deklaruar ajo.

E Kurti para qytetarëve të Suharekës ka thënë se fëmijët janë fokusi i qeverisjes së tij, ku përveç shtesave ka dhënë edhe një premtim.

“160 çerdhe në Kosovë dhe për të gjithë fëmijët, prej klasës së parë deri në klasën e pestë, shujtë falas, në mënyrë që kur mësuesja jep mësimin të mos ketë përballë nxënës të uritur. Do të kujdesemi më së shumti për fëmijët”, ka thënë Kurti.

Si në Shtime, ashtu edhe në Suharekë, tubimet e Vetëvendosjes me njerëz u bënë në kundërshtim me Ligjin për parandalimin dhe përhapjen e pandemisë.