2 perditesime
22:29

Kurti: 14 shkurti do të mbahet mend për ndryshimin e vërtetë në Kosovë

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti është shprehur i bindur se partia që ai drejton do të fitojë zgjedhjet e 14 shkurtit dhe se kjo do të mbahet mend si data kur ka ndodhur vala e madhe e ndryshimit të vërtetë në Kosovë.

Ai në një postim në Facebook shkruan se Vetëvendosje po merr përkrahje të madhe në të gjithë vendin.

“Sa më afër 14 shkurtit, aq më tepër po skuqen sheshet tona nga dashuria e qytetarëve për këtë vend. Në Shtime e Therandë, krejt dhe drejt, kishin dalë për të shprehur përkrahjen për listën tonë. Me pjesëmarrje masive, do të sigurojmë që kjo ditë të mbahet mend si data kur ka ndodhë vala e madhe e ndryshimit të vërtetë”, shkruan Kurti.

15:33

Kurti: Kosova është çliruar nga Serbia, tash duhet të çlirohemi nga korrupsioni

I pari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është çliruar e pavarësuar nga Serbia, e në këto zgjedhje, siç pretendon ai, duhet të çlirohet e pavarësohet nga korrupsioni.

Kurti këto komente i bëri në tubimin zgjedhor me qytetarët e Suharekës.

“Kosova është çliruar e pavarësuar nga Serbia, e na duhet ta çlirojmë e ta pavarësojmë edhe nga korrupsioni. Korrupsioni e krimi e ka lënë Kosovën shtet të dobët në të cilën individët janë më të fuqishëm se sa shteti. Me qeverinë tonë të re nuk do të ketë asnjë kriminel”.

Sipas tij, më 14 shkurt çdo qytetarë duhet ta shpreh vullnetin e vetë të lirë që t’i mundësojë ndryshimet e mëdha në sektorët e ekonomisë, arsimit, kulturës, shëndetësisë e politikave të jashtme.

“Më 14 shkurt, ditën e diel, secili qytetar, secila familje, secila komunë, duhet ta shpreh vullnetin e vetë të lirë dhe t’i mundësojë ndryshimet e mëdha në ekonomi, arsim, kulturë, shëndetësi, politikë të jashtme e të brendshme në mënyrë që qeverisjet e mbas luftës të na kujtohen si një ëndërr e keqe dhe t’ua japim shansin ardhmërisë të ndritshme brezit tonë e brezat që do të vijnë’’, tha Kurti.

Ndërkohë, numri 2 në listën e Vetëvendosjes, Vjosa Osmani, ka thënë se Suhareka duhet të jetë bastion I ndryshimit e ta bëjnë të mundshëm referendumin e 14 shkurtit.

“Edhe ju si Suharekë nuk jeni bastion i të tjerëve, por ju jeni bastion i ndryshimit. Ju do ta bëni të mundur referendumin e 14 shkurtit dhe ju do të siguroheni që vota e besimi juaj mos të keqpërdorët kurrë më”, shtoi Osmani.

12:47

Kurti: Na duhen mbi 61 deputetë sepse nuk do të bëjmë koalicion me askënd

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani kanë mbajtur tubim elektoral në komunën e Shtimes.

Kurti ka bërë thirrje që me 14 shkurt, të gjithë të dalin në zgjedhje, pasi sipas tij, ju duhen më shumë se 61 deputetë.

Ai ka thënë se nuk do të bëjnë koalicione.

“Nuk do të qeverisim për të sunduar e as për t’u pasuruar. Edhe Osmani edhe unë do të mbetemi klasë e mesme. Për t’u pasuruar është biznesi”, ka thënë ai.

Kurti është zotuar se Osmani si presidente e ai vet si kryeministër, nuk do të zmbrapset para asnjë krimineli.

“Do t’i ndihmojmë ndërmarrësit tonë, do t’i ndihmojmë fermerët. Ne nuk do të lejojmë që të shitet aq lirë qumështi, do të ketë çmime dysheme për produktet bazë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se do të lëshohen 4 mijë apartamente me çmime të përballueshme për çiftet e reja.

Thirrje për të dalë në zgjedhje ka bërë edhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani.