Arbëri

BE-ja s’pret që në Kosovë të bëhet furnizimi i plotë me vaksina nga COVAX-i para pjesës së dytë të vitit

Furnizimi i plotë me vaksina kundër koronavirusit nga programi COVAX për qytetarët e Kosovës nuk do të ndodhë para pjesës së dytë të vitit 2021, ka paralajmëruar shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomash Szunyog.

“Që të dyja, qeveria e Kosovës dhe BE janë duke bërë më të mirën për të siguruar vaksina sa më parë që është e mundur. Për shembull, përmes programit lehtësues të quajtur COVAX Kosova do të marrë falas vaksina për 20% të popullatës. Kosova i ka ndjekur procedurat siç duhet, si do qoftë, për shkak të kërkesave të mëdha, furnizimi i plotë me vaksina nga COVAX, nuk pritet të ndodh para pjesës së dytë të vitit”, ka thënë ai për “Këshillin e Investitorëve Evropianë”.

Ditë më parë, programi COVAX njoftoi se në Kosovë në muajin shkurt pritet të vijnë rreth 100 mijë doza të vaksinës së “AstraZenecas”.

Qeveria në detyrë, ajo Hoti, ka thënë javë më parë se janë siguruar edhe 500 mijë doza të vaksinës së “Pfizerit” si dhe ka marrëveshje me Austrinë edhe për 600 mijë të tjera.

Deri tash në Kosovë janë regjistruar 62 mijë e 548 raste pozitive me COVID-19 që nga regjistrimi i rasteve të para në muajin mars të vitit 2020. 1526 persona kanë humbur betejën me sëmundjen. Janë edhe 6791 raste aktive.