3 perditesime
20:11

Hoti: LDK po krenohet me historinë e saj, oponentët tanë po e fshijnë të kaluarën 

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, gjatë një takimi me elektoratin nga Lugu i Baranit në Pejë, ka thënë të dielën se përderisa ne po krenohemi me të kaluarën tonë shtetformuese, oponentët tanë politikë po e fshijnë të kaluarën sepse po turpërohen nga të bëmat e tyre kundër shtetit dhe interesave të qytetarët. 

“Ata gjithmonë kanë qenë në anën e kundërt të historisë së shtetit dhe demokracisë së Kosovës. Ne krenohemi me historinë tonë politike. Krenohemi me Presidentin Rugova dhe rrugëtimin e tij që po e ndjekim edhe sot, ndërsa oponentët tanë kanë qenë në anën e kundërt të Rugovës dhe të shtetit të Kosovës. Sot kanë angazhuar me dhjetëra IT për t'i fshehur nga publiku deklaratat e tyre kundër demokracisë dhe kundër procese që sollën formimin e shtetit të Kosovës”, tha Hoti. 

Sipas tij, qytetarët e Kosovës na njohin më së miri për gjithë kontributin që kemi dhënë secili, duke filluar nga rezistenca paqësore, lufta për liri, rindërtimi nga lufta dhe procesi i krijimit të shtetit. 

Ai tha se vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës i ka të hapura dyert në të gjitha kancelaritë e botës. 

17:15

Hoti: Paga dhe pensioni minimal do të jetë 300 euro

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të dielën në Arllat të Drenasit se me qeverisjen e LDK-së gjatë mandatit të ardhshëm pagat dhe pensionet minimale në Kosovë do të jenë 300 euro.

Në qytetin e Drenasit, Hoti shpalosi programin e tij për rininë dhe punësimin. Ai tha se qeveria e tij do të jetë partner i bizneseve dhe askush nuk do cenoj punën e tyre duke u dërguar inspektorë për t'i gjobitur.

“Ne kemi plan konkret për 4 miliardë euro investime publike prej tyre 1 miliard tashmë janë zotuar nga Marrëveshja e Uashingtonit. Në fushën e rinisë, do të fuqizohen kapacitetet e organizatave rinore dhe mekanizmave përfaqësues të rinisë. Do të krijohet korniza adekuate rregullative, në mënyrë që të garantohet pjesëmarrja e të rinjve në nivele të ndryshme vendimmarrëse, si dhe do t’iu kushtohet kujdes i veçantë grupeve të margjinalizuara të të rinjve”, tha Hoti.

Sipas tij, rinia do të mbështetet duke ofruar arsimim cilësor në profile arsimore mbi bazat e nevojave të tregut të punës.

“Do të zhvillohet skema për mbështetje për punësim të të rinjve, subvencionimit të ndërmarrësve të rinj, lehtësira për tranzicion nga shkolla në punësim, mundësi për punë praktike duke bashkëpunuar ngushtë me ndërmarrjet, promovim i punës vullnetare, trajnim i vazhdueshëm për integrim në tregun e punës, ndihmë për banim për studentët, mbështetje qendrave për inovacion të të rinjve, etj”, shtoi Hoti.

Ai tha se do të punohet në krijimin dhe zbatimin e masave lehtësuese për çështjen e banimit për familjet e reja, pastaj në njohjen e punës vullnetare si përvojë e punës si formë e tranzicionit nga shkollimi në punësim, rritja e mbështetjes financiare për organizatat rinore, mbështetje e bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare rinore, etj.

15:00

Hoti nga Mitrovica: Letra e Bidenit garanci se integriteti territorial i Kosovës nuk cenohet

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të dielën në tubimin elektoral në Mitrovicë, se integriteti territorial i Kosovës nuk shitet e as nuk negociohet dhe garant të kësaj janë miqtë ndërkombëtarë, me të cilët ka thënë se LDK-ja ka marrëdhënie të shkëlqyera.

“Integriteti territorial nuk është në shitje dhe nuk negociohet, as nuk ka harta, as thika, partnerët tanë na kanë garantuar ashtu siç ndodhi me 4 shkurt në Zyrën Ovale dhe sot me letrën e presidentit Biden”, tha Hoti.

Ai i ftoi banorët e Mitrovicës që më 14 shkurt mos të bien pre e mashtrimeve.

“Letra e sotme e presidentit Biden e ka vulosur partneritetin që kemi ndërtuar me SHBA-të. Jemi në mes të fushatë dhe kjo letër na tregon qartë se kah duhet të orientohen qytetarët e Kosovës, dhe 14 shkurti do të mbyllet me fitoren e LDK-së dhe të partnerëve tanë”, tha Hoti.

Kandidati i LDK-së, tha se oponentët politik, janë njerëz pa vizion për ruajtjen e shtetit të Kosovës.

“Kanë menduar disa kundërshtar që kanë kryer punë me LDK-në, por jo s’kanë kryer punët me qytetarët e Kosovës, sepse ata nuk mund të mashtrohen me megafona rrugës, e me parulla. Unë kërkoj mbështetje për LDK-në sepse nuk ka rrugë tjetër përveç rrugës euroatlantike. Më 14 shkurt qytetarët e dinë sepse nuk kanë opsion tjetër, është opsioni i LDK-së për orientim perëndimor dhe janë këta të kuqtë, një grupi i njerëzve që s’ju dinë kush të kaluarën, janë ekstremistë të gjithë llojeve. Qytetarët do t’i thonë jo atij opsioni, dhe kanë me e mbështetë opsionin e LDK-së”, tha Hoti.

12:45

Hoti: Nuk shkojmë në veri për të rrahur gjoks, të gjitha komunat e Kosovës janë të barabarta

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se letra e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, që kërkoi njohjen e Kosovës nga presidenti serb, Alekandar Vuçiq, vulosi edhe një herë miqësinë me SHBA-në.

Ky veprim i presidentit amerikan u përshëndet nga kryeministri në detyrë, Hoti, në tubimin e mbajtur në Vushtrri gjatë ditës së sotme.

“Sot ishte një letër e presidentit të SHBA-së që e vulosi miqësinë tonë. Besoj që jemi te bekuar me këto miqësi që kemi si qytetarë të Kosovës, është kohë fushate dhe ne nuk i promovojmë sa duhet punët tona dhe kjo nuk dua të përdoret në kohë fushate. Jemi përballë me sanksione ekonomike, politike, me paralajmërimin e tërheqjes së trupave amerikane por e kemi përmbyllë vitin me vendimin që e bën ushtrinë tonë pjesëmarrëse në misione paqeruajtëse bashkë me amerikanët”, tha Hoti.

Ai shpalosi disa nga arsyet pse duhet votuar LDK-ja më 14 shkurt.

“Jam i sigurt me ekipin që kemi ndërtuar dhe kandidatët në listën tonë ofrojmë perspektivë në këtë vend dhe kemi mundësuar kalimin në një nivel tjetër të shtetit të Kosovës. Kam shpresë qe për disa muaj do ta mbyllim kapitullin e shtetndërtimit të Kosovës dhe të vazhdojmë rrugëtimin euroatlantik. Programi ynë do të sjellë zhvillim ekonomik, punësim dhe normalitet në qeverisje. Për një kohë të shkurtër në Vushtrri janë bërë 200 milionë investime. Kemi marrë aksionin më të madh në 10 vitet e fundit në Karaçevë, i cili ka qenë i planifikuar edhe që qeverinë e kaluar por nuk është lejuar. Do të mbështesim sektorin privat, do ta mbështesim sektorin publik në mënyrë që të sillen investime”, shtoi Hoti.

Hoti nuk la pa thumbuar edhe kundërshtarët e tij nga Vetëvendosja, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.

“Nuk shkojmë në veri për të rrahur gjoks, por që të gjitha komunat e Kosovës të jenë të barabarta në zhvillimet ekonomike dhe politike”, vazhdoi Hoti.

LEXO EDHE: Kurti e Osmani priten me fyerje nga serbët në veri

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ftoi elektoratin në Vushtrri që më 14 shkurt ta votojë LDK-në, pavarësisht pakënaqësive të vogla që mund t’i kenë ata.

“Vetëm qeverisja jonë arrin të punojë në interes të qytetarëve, prandaj ju ftoj që më14 shkurt, pavarësisht pakënaqësive të vogla që mund t’i kemi, ju ftoj të qëndrojmë në frymën e Rugovës dhe LDK-së. Në vetëm tri vjet qeverisje ne arritëm të hapim rrugë për 150 milionë euro investime private, e ata që ishin 10 vjet në pushtet nuk arritën të sjellin asnjë investitor. 35 për qind e bizneseve në Vushtrri janë mbyllur, mbi 60 për qind e familjeve kanë deklaruar më pak të hyra në kohën e pandemisë. Do të bëjmë zbritjen e tatimit për qytetarët, ndërrimin e logjikës së asfaltit”, tha Tahiri.