Arbëri

Kronika Zgjedhore/ PDK-ja përmes UÇK-së kërkon vota

 

Partia Demokratike e Kosovës kërkoi mbështetje në Kamenicë e Gjilan me porosinë se vota për PDK-në është votë për UÇK-në. Bartësi i listës së kësaj partie, Enver Hoxhaj, u kërkoi përkrahësve që dhimbjen për Thaçin e Veselin që gjenden në Hagë, ta përkthejnë në vota. As të premten nuk pati respektim masash anti-COVID në tubimet e kësaj partie

Gjilan, 5 shkurt- Ndonëse me vendim, dasmat janë të ndaluara, shkaku i masave kundër përhapjes së koronavirusit, sallat po shërbejnë për tubime zgjedhore të partive politike. Një tubim i tillë është mbajtur të premten në Koretin të Kamenicës nga Partia Demokratike e Kosovës.

Përkrahësit e kësaj partie po prisnin nën rrezet e diellit bartësin e listës, Enver Hoxhaj dhe anëtarët e tjerë, që u vonuan rreth 20 minuta. Derisa brenda sallës së dasmave po bëheshin përgatitjet e fundit, telashet më zërim u bënë të dukshme. Dikur, kur u dha sinjali që drejtuesit e PDK-së ishin afër të arrinin, të gjithë ia mësynë të hynin brenda e të uleshin në karrige. Me të mbërritur, Hoxhaj nisi t’i përshëndesë të pranishmit e këtë radhë ishte përkujdesur që ta vinte maskën. Megjithatë, atë nuk e mbajti për shumë kohë. E hoqi me t’u ulur në ulëse. Afër tij tashmë kishin zënë vendet e tyre edhe kandidatët për deputetë të kësaj partie. E para që mbajti fjalimin ishte Jona Arifi, kandidatja më e re në moshë e PDK-së. Ndonëse zëri i saj nuk dëgjohej deri në fund të sallës, shkaku i mungesës së altoparlantëve, ajo u përkujdes që të kërkojë vota për zgjedhjet e 14 shkurtit.