Arbëri

Zyrtarizohen marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit

Kosova dhe Izraeli kanë zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike mes vete.

Përmes një ceremonie virtuale, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi, kanë nënshkruar dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, për të rritur bashkëpunimin në sferën politike, ekonomike, të tregtisë, teknike e kulturore dhe sfera të tjera.

Haradinaj-Stublla, në fjalim ka falënderuar SHBA-në dhe ish-administratën Trump që ka bërë të mundur këtë marrëdhënie diplomatike me Izraelin.

“E dashur SHBA, jemi përjetësisht falënderues për përkrahjen bipartizane që kemi marrë nga ju. Krijimi i kësaj marrëdhënie diplomatike sot nuk do të ishte e mundur pa bekimin dhe përkushtimin e juaj. E duhet të përmendi edhe ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump, ish-emisarin Special, Richard Grenell, Robert O’Breienin, Departamentin e Shtetit të SHBA-së, si dhe përkrahjen e administratës së re të SHBA-së për marrëveshjen e Washingtonit, që ka treguar Sekretari i ri i Shtetit, Athony Blinken”, ka thënë Haradinaj Stublla.

Ajo pasi ka falënderuar edhe ambasadorin Philip Kosnett dhe ministritë e Jashtme dhe të gjithë që ndihmuan te marrëveshja, ka thënë se Izraeli bëhet shteti i 117-të që e njeh pavarësinë e Kosovës. Haradinaj-Stublla ka ftuar shtetet tjera që nuk e kanë njohur Kosovën ta njohin atë. Ajo ka ftuar edhe kompanitë izraelite për të investuar në Kosovë.

Ashkenazi e ka quajtur historike marrëveshjen e arritur sot, ndërsa shton se kjo është mundësia që të përmirësohen marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Sot po bëjmë histori, sot po normalizojmë marrëdhëniet mes Izraelit dhe Kosovës, një moment që shumë e kanë pritur. Sot është mundësia jonë që të përmirësojmë marrëdhëniet tona me njerëzit e Kosovës. Kjo marrëveshje është pjesë e Marrëveshjes së nënshkruar në Washington”, tha ai.

Dokumenti është nënshkruar në katër kopje, në gjuhën shqipe, angleze, hebreje dhe serbe.

Dy ministritë kanë nënshkruar memorandum edhe për konsultime politike dhe memorandum për bashkëpunim zhvillimor.

Në ceremoni ka marrë pjesë edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin, Matthew Palmer.

Ines Demiri është e ngarkuara me punë në Izrael qe nga viti 2020.

{gallery}