Arbëri

QKSS: 75 për qind e qytetarëve mendojnë se dialogu është zhvilluar në mënyrë jo-transparente

68 për qind e qytetarëve mendojnë se dialogu duhet të vazhdojë, ani pse më shumë se 80 për qind e tyre thonë se nuk vërejnë kurrfarë përfitimi nga ky proces. Më shumë se shumica prej tyre po kundërshtojnë idenë e shkëmbimit të territoreve, por edhe idenë e Mini-Shengenit për Ballkanin Perëndimor. Përkundër se kërkesat e tyre janë për vazhdim të dialogut, ata nuk kanë mendim të mirë për këtë proces mes Kosovës dhe Serbisë. Madje, më shumë se 30 për qind e tyre nuk janë të informuar se cili është qëllimi final i gjithë këtij procesi mes dy vendeve.

Kështu janë përgjigjur të anketuarit në hulumtimin mbi perceptimet e qytetarëve të Kosovës në lidhje me dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

Hulumtuesi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Plator Avdiu tha se ky hulumtim është realizuar gjatë pjesës së fundit të vitit 2020, me më shumë se 1 mijë e 100 të anketuar. Hulumtimi ka përfshirë zonat rurale dhe urbane, ndërkohë që 90 për qind e të anketuarve kanë qenë shqiptarë, 8 për qind serbë, dhe 2 për qind komunitete të tjera pakicë.

“Është pozitive se më shumë se gjysma e të anketuarve mendojnë ose i kanë dhënë përkrahje dialogut, ku 68 për qind e tyre mendojnë se dialogu duhet të vazhdojë dhe i kanë dhënë përkrahje dialogut. Ajo që është më shumë shqetësuese, është se më shumë se 80 për qind e tyre nuk vërejnë se kanë pasur një përfitim nga dialogu. Sa i përket ideve të diskutuara së fundmi ndoshta edhe kontradiktore, si për shembull shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, është kundërshtuar në mënyrë të fuqishme nga qytetarët e Kosovës nga 89 për qind e tyre. Marrëveshja e asociacionit vazhdon të ketë trend negativë. Ndërsa, sa i përket idesë së Mini-Shengenit edhe për këtë qytetarët nuk është se janë dashamirës të kësaj ideje, ndoshta edhe për shkak se nuk kanë shumë informata, kjo ka rezultuar që 58 për qind e qytetarëve nuk kanë njohuri se çfarë qëndron prapa idesë së Mini-Shengenit”, ka deklaruar ai.

Pavarësisht këtyre mendimeve, qytetarët nuk janë mirë të informuar për përmbajtjen e këtij procesi. Avdiu thekson se mbi 75 për qind e tyre e vlerësojnë dialogun si tejet jo transparent.

“Një shumicë e madhe e qytetarëve pothuajse mbi 75 për qind mendojnë se dialogu është zhvilluar në mënyrë jo-transparente. 42 për qind e qytetarëve mendojnë se është zhvilluar në mënyrë plotësisht jo transparente dhe 35 për qind të tjerë mendojnë se kjo është tejet jo transparente. Dhe kjo flet ndoshta jo vetëm për qeveritë e Kosovës që kanë qenë jo-transparente, por edhe për ata që kanë udhëhequr këtë dialog, në mënyrë të vazhdueshme edhe për Bashkimin Evropian, i cili e udhëheq këtë proces që nga fillimi dhe deri më tash”, ka shtuar Avdiu.

Ani pse qytetarët kërkojnë që të vazhdojë ky dialog, këta të fundit nuk kanë mendim të mirë për të. Anketuesit janë pyetur edhe nëse do të dëshironin që të kenë një mësimdhënës mësues, koleg, epror në punë, apo të martohet me një serb. E që për këtë më shumë se 90 përqind e tyre janë kanë qenë kundër.

51 përqind e kosovarëve nuk ndihen të sigurt që të udhëtojnë në Serbi me targa të Republikës së Kosovës.

“60 për qind e qytetarëve mendojnë që nuk ka ndryshuar diçka në raportet e Kosovës, të paktën nuk ndjejnë ndonjë ndryshim të madh qoftë nga marrëveshjet teknike, qoftë nga marrëveshja e fundit ajo për normalizimin e marrëdhënieve të vitit 2013, e cila është për asociacionin. Do të thotë nuk ndjejnë ndonjë ndryshim pozitiv. Për shkak se është numri shumë i vogël i qytetarëve të cilët mendojnë që ka ndryshuar marrëdhëniet e ndërsjellta, vetëm 17 për qind e tyre mendojnë se ka pasur ndonjë ndryshim në raportet e ndërsjella mes Kosovës dhe Serbisë” ka shtuar ai.

Qytetarët e anketuar janë pyetur edhe për qëllimet finale të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

“37 për qind e qytetarëve që kanë dhënë përgjigje mendojnë se njohja e ndërsjelltë e Kosovës nga Serbia dhe anasjelltas duhet të jetë ose është qëllimi final. Ajo që është indikative këtu është me atë që lidhet me aspektin e transparencës është se mbi 30 për qind e qytetarëve nuk kanë njohuri se cili është qëllimi i dialogut me Serbinë. Dhe kjo është mjegulla që kanë qarkulluar gjatë viteve, sepse janë përmendur shumë ide dhe nuk është ditur se cili është qëllimi final i Kosovës në dialog. 77 për qind e tyre mendojnë se zgjidhja më ideale do të duhej të ishte njohja e Kosovës nga Serbia në kufijtë ekzistues. 11 për qind e qytetarëve mendojnë se nuk do të ketë fare marrëveshje. 6 për qind e të anketuarve mendojnë se duhet të ketë zgjidhje të tjera”, ka shtuar ai.

Bazuar në këtë hulumtim të realizuar nga QKSS, 37 për qind e qytetarëve të anketuar e përkrahin deri diku qëndrimin aktual të Kosovës për dialogun. Ata shprehën optimist, megjithatë thonë se nuk presin që marrëveshja të arrihet gjatë këtij viti, për shkak se shumica e tyre mendojnë se kjo marrëveshje do të arrihet pas tre ose pesë vjetëve.

Gjysma e të anketuarve mendojnë se do të ketë paqe mes shqiptarëve dhe serbëve, por që ka pasur prej tyre se e mendojnë që nëse kjo marrëveshje nuk do të arrihet, atëherë do të ketë sërish konflikt mes dy vendeve.

Tutje, ata kanë përkrahur më shumë punën e emisarit Richard Grenell, në krahasim me atë të Miroslav Lajçak.