Arbëri

Prishet koalicioni LDK-VV në Vushtrri, LDK-ja qeveris e vetme

Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndërprerë bashkëqeverisjen me Lëvizjen Vetëvendosje në komunën e Vushtrrisë.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha sot në një konferencë për media se kjo ka ndodhur pasi që Vetëvendosje nuk përkrahi të enjten planin për rimëkëmbje ekonomike të prezantuar në mbledhjen e Kuvendit Komunal.

Tahiri ka theksuar se mospërkrahja e planit për rimëkëmbje ekonomike është e vetmja arsye e prishjes së koalicionit trevjeçar.

Tahiri ka treguar se deri në fund të mandatit do të vazhdojnë të vetëm dhe nuk do të kenë asnjë koalicion tjetër.

“Nuk mund të lejoj si kryetar komune një kryesi që merr një vendim politik për të mos përkrahur një plan vendimtar për të dalë nga kriza e madhe si rezultat i pandemisë, të vazhdojnë të qëndrojnë në bashkëqeverisje prandaj ne kemi ardhur deri në këtë moment. Arsyeja e vetme pse unë kam vendosur të ndërpresë këtë bashkëpunim bashkë me degën e LDK është mosvotimi i planit të rimëkëmbjes ekonomik, nuk kam asnjë arsye tjetër”, tha Tahiri.

LDK dhe VV kishin nënshkruar marrëveshje për koalicion në nëntor të vitit 2017 pas zgjedhjeve lokale të 22 tetorit të po këtij viti.

Në këto zgjedhje, Xhafer Tahiri i LDK-së kishte fituar mbi 25 për qind të votave.