Arbëri

Kosova dhe Izraeli lidhin marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt

Marrëdhënia diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit do të zyrtarizohet më 1 shkurt, me një ceremoni solemne virtuale.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, sipas së cilës Republika e Kosovës po hyn në një etapë të re historike me shtetin e Izraelit.

“Firmosja zyrtare e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike do të bëhet nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, z.Gabriel Ashkenazi”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Njohja nga Izraeli është vlerësuar lart dhe është bërë e mundur falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht zotimeve të firmosura në Washington më 4 shtator.

Sipas zotimit të firmosur nga kryeministri Avdullah Hoti, ambasada e Kosovës do të hapet në Jeruzalem.

“Ky moment tejet i rëndësishme për ne, është përjetësim i miqësisë së gjatë, mes popujve tanë, që tani po kurorëzohet me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike”, është shprehur me këtë rast shefja e diplomacisë kosovare, duke shtuar se Kosova është përjetësisht mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet më tutje në njoftim.