Arbëri

KMDLNj kërkon hetim ndaj KEDS për shpërdorim të faturave

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj detyrimit që iu bëhet shqiptarëve dhe komuniteteve tjera t’i paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar nga serbët në veri dhe lokalitetet tjera në Kosovë, duke thirrur autoritetet përkatëse të bëjnë hetime për këto shpërdorime dhe të merren masa në përputhje me ligjin sikur që të merren masa për kompensimin e dëmit që u është shkaktuar konsumatorëve që janë detyruar t’i paguajnë faturat e fryra dhe të falsifikuara për rrymën që nuk e kanë shpenzuar .

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë, nëpërmjet një komunikate thotë se në vazhdimësi ka reaguar në mbrojtje të drejtave të shpenzuesve të energjisë elektrike që janë dëmtuar, qoftë me fryrjen e faturave, llogaritjes së tarifave, të moskompenzimit të dëmeve që i janë shkaktuar amvisërisë dhe bizneseve deri te rastet më tragjike që kanë përfunduar me fatalitet, si pasojë e djegies së shtëpive për shkak të rrymës.