Sindikata të shumta të sektorit publik dhe privat kanë nisur t’i shprehin pakënaqësitë ndaj kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, se janë diskriminuar nga ndarja e shtesave për punën gjatë kohës së pandemisë. Në një takim që Hoti pati me përfaqësues të disa prej tyre, ai u premtoi se Qeveria në detyrë do t’i paguajë të gjithë sektorët ku ka pasur angazhim shtesë dhe rrezikshmëri në punë. Sindikalistët kanë paralajmëruar greva nëse nuk u përmbushen kërkesat e tyre
Prishtinë, 27 Janar - Pas premtimeve dhe ndarjes së shtesave për disa kategori të punëtorëve, kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, i janë shtuar kërkesat nga shumë sindikata të pakënaqura të sektorit publik dhe privat. Qasja e institucioneve, sipas sindikalistëve nuk ka qenë e barabartë, duke theksuar se po ndihen të anashkaluar dhe të diskriminuar. Ata kanë kërkuar që t’u paguhen angazhimi shtesë dhe rrezikshmëria nga pandemia COVID-19.
Për të gjetur “zgjidhje”, kryeministri në detyrë Hoti të mërkurën ka takuar përfaqësues të Sindikatës së Judikaturës, Shërbimit Korrektues, Punonjësve Socialë, Sindikatës së Policisë, Sindikatës së Zjarrfikësve, Sindikatës së Shërbimit Korrektues, Administratës së Pavarur, Sindikatës së Shërbimit Civil, të punëtorëve të ATK-së dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Infermierëve. Ai u premtoi se do t’i shqyrtojë mundësitë buxhetore për përmbushjen e kërkesave.
“Ne diskutuam për të gjitha kërkesat e tyre dhe i kemi trajtuar një nga një dhe ministrat kanë udhëzimet e tyre, dhe në bazë të mundësive buxhetore t’u dalim në ndihmë”, ka deklaruar Hoti pas takimit.
Por, drejtuesit e sindikatave, pas premtimeve të Hotit kanë thënë se nuk do të lejojnë që të shfrytëzohen për fushatë, sepse në të kundërtën grevat do të jenë të pashmangshme.
Mursel Zymeri, kryetar i Shoqatës së Shërbimit Civil, ka thënë se sikurse që janë ndarë shtesat për sektorë të tjerë, duhet të ndahen edhe për shërbyesit civilë, të cilët, sipas tij, kanë qenë mjaft shumë të rrezikuar.
"Ne kemi heshtur për hir të rrethanave të caktuara, sepse dimë të bëjmë edhe ne, edhe më fort se të tjerët, edhe grevën edhe protestën. Por, kur ndodh në shërbim civil, administratë publike greva dhe protesta, aty kemi paralizim të shtetit. Ne nuk kemi dashur të vijmë deri aty”, ka deklaruar ai.
Ndërsa nënkryetari i Shoqatës Sindikale të Punonjësve Socialë, Bashkim Rakaj, i ka dhënë ultimatum kryeministrit që nëse deri të hënën nuk gjen zgjidhje, do të futen menjëherë në grevë.
“Ne kemi themeluar edhe Këshillin Grevist, kërkesa janë bërë nëpër të gjitha institucionet dhe nëse nuk na jepet zgjidhje të hënën, për mbështetje ekstra, përveç problemeve të tjera që ka Qendra për Punë Sociale, ne do të shkojmë në grevë", ka deklaruara ai.
Rakaj ka thënë se nëse shtesat ndahen për ata që janë ngarkuar më shumë me punë në kohë të pandemisë, punonjësit socialë kanë qenë pothuajse më të angazhuarit.
Gjatë së martës, kryeministri në detyrë takim pati edhe me përfaqësuesit e Sindikatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve dhe Odën e Hotelerisë dhe Turizmit, me të cilët ka biseduar për pakon e mbështetjes financiare, si pjesën e programit për rimëkëmbjen ekonomike për vitin 2021. Derisa u zotua se do t’i shqyrtojë edhe kërkesat e këtyre dy sektorëve, kryeministri tha se për subvencionimin e gastronomisë, sallave të dasmave, sallave të sportit, qendrave rehabilituese dhe të ngjashme, Qeveria ka ndarë tre milionë euro, në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021, në shumën e përgjithshme prej 222 milionë eurosh.
Me vendim të Qeverisë, për rrezikun në punë gjatë pandemisë, shtesa janë ndarë për mjekët, infermierët, stafin teknik, si dhe për policët, ndërsa kryeministri Hoti ka premtuar paga shtesë edhe për mësimdhënësit.
