KQZ-ja nuk certifikon listat e VV-së, AAK-së e Nismës - LDK-ja, PDK-ja dhe Lista Serbe kalojnë

- 20:25KQZ-ja nuk certifikon listat e VV-së, AAK-së e Nismës - LDK-ja, PDK-ja dhe Lista Serbe kalojnë
- 20:22KQZ-ja nuk certifikon Nismën, në radhë votimi për VV-në
- 19:25KQZ-ja kundër rekomandimit të Zyrës për Certifikim, Daka: Listat e subjekteve do të votohen veç e veç
- 18:21PDK-ja kritikon shefin e Zyrës për Certifikim: Keni bërë atentat ndaj demokracisë
- 18:15VV-ja akuzon kryetaren e KQZ-së se me LDK-në e PDK-në po punon në eliminim të partive të caktuara
- 17:58Partitë zëvendësojnë 21 kandidatë për deputetë që s'u certifikuan
- 17:48KQZ-ja nis mbledhjen
- 15:37Shtyhet votimi për certifikim të kandidatëve për deputetë
- 14:42Zyra për Certifikim rekomandon që Kurtit t’i lejohet kandidimi
KQZ-ja nuk certifikon listat e VV-së, AAK-së e Nismës - LDK-ja, PDK-ja dhe Lista Serbe kalojnë
Vetëvendosja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma nuk kanë arritur të marrin certifikimin e listave zgjedhore nga KQZ-ja. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe janë certifikuar, edhe si subjekte edhe listat e tyre.
VV-ja nuk ka zëvendësuar kandidatët në listën e saj të cilët kanë problem me ligjin, që kanë qenë pesë prej tyre. Vetëm pesë anëtarë të KQZ-së kanë votuar për, kurse tetë kanë abstenuar.
Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është certifikuar me 11 vota për si subjekt politik, ndërsa me 6 vota nuk është certifikuar lista e saj.
Lista e LDK-së është certifikuar me 10 vota për. Kjo parti ka ndryshuar një kandidat që i kërkohej për shkak se binte ndesh me ligjim.
Po ashtu, lista e PDK-së me 10 vota për është certifikuar nga anëtarët e KQZ-së. Partia kishte zëvendësuar një kandidat ditët e fundit.
KQZ-ja ka certifikuar edhe Listën Serbe dhe partitë tjera të minoriteteve.
Me akgjykimin e fundit të Kushtetueses, kandidatët që kanë dënim të formës së prerë në tri vjetët e fundit, nuk mund të jenë kandidatë për deputetë. Këtu është përfshirë edhe lideri i VV-së, Albin Kurti, që para dy vjetësh e gjysmë është dënuar me kusht.
Pas votimit të listave, anëtari i VV-së Sami Kurteshi, ka treguar për rastin e një kandidati të partisë që ka problem me ligjin për një kundërvajtje në trafik.
“Lista VV nuk u certifiku, e po ju tregoj një rast që nuk është certifiku. Kemi një proces gjyqësor që një kandidat ka kryer një kundërvajtje në trafik. E pandehura obligohet të paguaj 40 euro e 88 cent si dhe shumë për 20 euro për ekspertizë gjyqësore dhe paushallin 60 euro. Kjo është një arsye pse nuk është certifiku, ky është absurdi pse ka filluar politika kundër VV-së”, tha Kurteshi.
Nga Nisma është thënë se ky ishte vendim politik, ndërsa ashtu si edhe VV-ja, kanë paralajmëruar se do të ndjekin rrugët ligjore për të kundërshtuar këtë.
KQZ-ja nuk certifikon Nismën, në radhë votimi për VV-në
Nisma Socialdemokrate nuk i ka zëvendësuar 12 prej kandidatëve të cilët nuk i plotësojnë kushtet ligjore.
Nisma ka kërkuar që të certifikohet subjekti me të gjithë kandidatët e saj në listë, por anëtarët e tjerë të KQZ-së kanë dalë kundër.
Nisma ka pasur 110 kandidatë në listën e saj.
6 vota kanë qenë për certifikim të Nismës.
KQZ-ja kundër rekomandimit të Zyrës për Certifikim, Daka: Listat e subjekteve do të votohen veç e veç
Rekomandimin e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim që listat me kandidatët për deputetë të shkojnë në pako, e kanë votuar për, pesë anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kryesuesja e Komisionit, Valdete Daka, e ka hedhur në votim edhe atë që të shkojnë veç e veç kandidatët, e ku janë dhënë 6 vota për.
Ndërkaq, kjo ka nxitur sërish debat mes anëtarëve. Sami Kurteshi nga VV-ja tha se nuk u votua për pakon, porse “është nxjerrë rekomandim i ri”.
Ndërkaq, Daka iu kundërpërgjigj me pyetje.
“Nëse votohen në pako, si do të ankohen subjektet politike. A keni pa ndonjëherë një vendim të tillë të KQZ-së që thotë se subjektet certifikohen në pako”, tha Daka.
Daka ka hedhur në votim edhe një herë propozimin për votimin në pako, megjithatë edhe herën e dytë ka marrë 5 vota për.
PDK-ja kritikon shefin e Zyrës për Certifikim: Keni bërë atentat ndaj demokracisë
Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së, ka kritikuar Yll Buleshkajn, u.d. të kryeshefit të Sekretariatit të e Zyrës për Certifikim, për rekomandimin që ka sjell kjo zyre në KQZ për votim në pako të kandidatëve për deputetë, përfshirë edha ata që nuk janë certifikuar si pasojë e problemeve me ligjin në tri vitet e fundit.
Elshani e ka quajtur rekomandimin, “atentat ndaj demokracisë”.
“Nuk është korrekte para subjekteve politike që i kanë bërë zëvendësimet. Andaj duhet të miratohen veç e veç, siç është votuar edhe në të kaluarën. Z. Buleshkaj, me veprimin tënd, me këtë rekomandim keni bërë atentat ndaj demokracisë. Si u bë që brenda 24 orëve e ke ndryshuar interpretimin për certifikimin e listave”, ka kritikuar Elshani. “A je kërcënuar, a je shantazhuar, a të është ofruar ryshfet. Unë besoj që ti nuk e ke sjellë këtë rekomandim. Unë ju ftoj që të mos i miratojmë listat në të cilat janë deputetët për të cilët KGjK-ja, ka thënë që nuk mund të kandidojnë”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, Buleshkaj i është përgjigjur anëtarit të PDK-së.
“Kjo është punë që e kemi bërë dhe kemi dhënë rekomandim si zyre. Nëse keni mundur me e këqyrë, është rekomandimi i përgjithshëm dhe për secilën parti veç e veç. Ne nuk mundemi me i quajt lista të papastra ose jo”, ka thënë ai.
VV-ja akuzon kryetaren e KQZ-së se me LDK-në e PDK-në po punon në eliminim të partive të caktuara
Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ka akuzuar kryetaren e Komisionit për selektim të partive.
Ai tha se Daka po mundohet të eliminojë parti e lista, bashkë me PDK-në e LDK-në.
“Ky është selektimi negativ që po bën kryetarja për të eliminuar parti dhe lista të caktuara. Këtë po e bën me LDK-në dhe PDK-në”, tha ai në mbledhjen e KQZ-së.
Në këtë mbledhje do të votohet për kandidatët që kanë problem me ligjin dhe që nuk do të mund të garojnë për deputetë në zgjedhje.
Partitë zëvendësojnë 21 kandidatë për deputetë që s'u certifikuan
Partitë kanë zëvendësuar 21 kandidatë nga listat e tyre për shkak të problemeve me ligjin që kanë pasur.
“Ka disa parti që i kane zëvendesuar vullnetarisht deputetët, LDK, Lista Serbe e disa të tjera të minoriteteve”, tha Ylli Buleshkaj, nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim.
Ai tha se LVV-ja dhe AAK-ja nuk i kanë zëvendësuar kandidatët.
“Nga 47 në listë kanë mbetë vetën 26”, shtoi ai.
Ndërkohë, anëtari i VV-së në KQZ, Samir Kurteshi, ka ftuar kolegët e tij që të votojnë rekomandimin e Zyrës për Certifikimin e kandidatëve.
“Nuk dëgjova diçka të që mund të pengojë vendimmarrjen. Zyra për Regjistrimin dhe Certifikimin ka bërë një rekomandim dhe ne duhet të votojmë”, ka thënë Kurteshi.
Daka ka treguar se ka marrë përgjigje nga ana e KGjK-së ku është e qartësuar se ky institucion ka marrë te dhëna nga Gjykatat në gjithë vendin dhe se ato janë të verifikuara, teksa u përgjigj për shkresën për certifikimin në pako.
"Ne e kemi shtuar pikën e rendit të ditës me që na duhet të kishim edhe disa shkresa. Sa për informatën e z. Kurtishit unë i nënshkruaj të gjitha shkresat dhe vijnë të unë. Meqë u ngritën dyshime për shkresën e KGJK-së, me të cilën kërkohej të dihet a janë të sakta shkresat e dërguara për kandidatët për deputetë", tha ajo.
KQZ-ja nis mbledhjen
Komisioni Qendror i Zgjedhjve i është rikthyer mbledhjes të cilën e kishte ndërprerë rreth dy orë më parë.
Në këtë mbledhje do të votohet për certifikimin e kandidatëve për deputetë.
Shtyhet votimi për certifikim të kandidatëve për deputetë
Është shtyrë për dy orë votimi i certifikimit të kandidatëve për deputetë, pas paqartësive që ka nxitur rekomandimi i Zyrës për Certifikim që propozoi certifikimin e të gjithë kandidatëve.
Anëtarët e KQZ-së kërkuan dokumente shtesë për rekomandimin e Zyrës për Certifikim.
Policia në KQZ

Teksa anëtarët tjerë të KQZ-së lëshonin sallën, anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, ka thënë se kryesuesja e KQZ-së ka mbledhur për konsultime dhe presion anëtarë të tjerë të KQZ-së para takimit të sotëm.
“Sot për herë të parë ka ngjarë diçka që ne s’e kemi përjetuar deri më tani. Ishte ftesa për Policinë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ne e dimë cili është problemi. Ne po e themi hapur që tash po ndryshojnë rregullat dhe normat brenda momentit. KQZ-ja e ka për obligim të votojë të gjitha procedurat dhe të gjitha veprimet që duhet t’i lehtësojnë zgjedhjet e 14 shkurtit. S’kemi arsye për t’i ikur asnjë ballafaqimi e asnjë votimi. S’kemi arsye t’i pengojmë proceseve zgjedhore që kanë filluar. Do të jemi këtu e do të bëjmë përpjekje që ligjet të zbatohen deri në fund”, ka thënë ai.
Kurteshi ka kërkuar sqarime se përse policia është duke ruajtur objektin e KQZ-së.
Zyra për Certifikim rekomandon që Kurtit t’i lejohet kandidimi
Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim i ka propozuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, duke përfshirë edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Për shkak të paqartësive në pikën “q” të nenit 29 të Ligjit për Zgjedhje, pika që ua ndalon kandidimin personave të dënuar në tri vitet e fundit, kjo Zyrë në mbledhjen e KQZ-së të premten ka propozuar që të certifikohen të gjithë kandidatët, duke lejuar hapësirë për ankimim për më vonë.
“Ka qenë proces i gjatë me punë të gjatë, duke shqyrtuar aplikacione. Kemi pas 1081 kandidatë, finalja është 1075 nga të njëjtat subjekte politike. Kanë plotësuar të gjitha kriteret minimale. Kemi rekomanduar certifikimin e tyre për ato që aplikohen. Kemi kërkuar shkresa nga institucione të ndryshme disa na kanë ndihmuar e disa kanë konfuzuar. Zyra s’ka arrit plotësisht sqarime për pikën “q”. Zyra jonë për këtë arsye ka vendosur të dalë për certifikim lista ashtu siç është, e nëse ka ankesa mund të ketë ankimime”, kanë thënë nga kjo zyrë. “Të gjitha subjektet si subjekte i plotësojnë kriteret. Ka kandidatë që mund të kenë probleme. Zyra s’ka mundur të vërtetojë për problemet e tyre. Kemi pas dyshime. Është qasje e gjithëpërfshirjes sepse nuk kemi kapacitete që ta vlerësojmë saktë nëse një kandidat mund të ketë probleme”.
Rekomandimi ka nxitur reagim nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, që ka thënë se ka paqartësi në rekomandimin e Zyrës për Regjistrim.
“Kërkesat janë dërguar në institucione relevante dhe pas marrjes së përgjigjeve është kërkuar nga subjektet politike të ndërrojnë apo zëvendësojnë kandidatët që kanë ndërruar kriteret. Kam një rekomandim i cili në fakt nuk shpjegon se a i përmbushin këta kandidatë kriteret apo jo. Ne s’kemi të qartë nga ky rekomandim se kush i përmbush e kush jo. Kjo është detyra e parë e zyrës”, ka thënë Daka.
Kjo zyrë ka rekomanduar certifikimin e të gjithë kandidatëve të partive të mëdha në vend.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

S’ka përparim të dukshëm në hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës

Opozita pa qëndrim unik për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Qeveria synon ta shtrijë FSK-në në gjithë vendin, NATO thotë se ndalesa për veri është valide

Osmani: Aleatët janë zotuar për shtytje të re që Kosova të pranohet ndërkombëtarisht

Haziri: Kurti i ka vjellë të gjitha ato që i ka thënë

Rusia komenton Marrëveshjen e Ohrit: Asgjë s’ka ndryshuar, Kosova është pjesë e Serbisë

Hoti pas shtrenjtimit të rrymës: Me rëndësi ministrit po i tepron buxheti

Memli Krasniqi, sonte në “Konfront”
BKT Kosova fiton çmimet kryesore nga Euromoney dhe Global Finance

Gjukanoviq: Serbia kopje e Rusisë, kërkon të sundojë vende

Sindikata e quan fushatë hakmarrëse pezullimin e Prenkajt nga Departamenti për Amerikë
