Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Serbët e Kosovës po vazhdojnë vaksinimin anti-COVID në Kurshumli

Qeveria e Serbisë ka vendosur që serbët e Kosovës të marrin vaksinën anti-COVID-19 në Kurshumli, qytet në kufi me Kosovën.

Ky hap është marrë, pasi Qeveria e Kosovës ka reaguar për vaksinimin e serbëve në shtëpitë e shëndetit në qytetet me shumicë serbe në Kosovë, që funksionojnë në kuadër të sistemit shëndetësor të Serbisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas mediave serbe, vaksinimi i serbëve ka nisur të martën dhe vaksinën e kanë marrë 209 qytetarë serbë të Kosovës, që kanë udhëtuar në mënyrë të organizuar.

Vaksinimi ka vazhduar edhe të mërkurën me vaksinimin e 262 qytetarëve, sot janë vaksinuar 69, kurse për të premten është paraparë të vaksinohen 120.

Vaksinimin e serbëve të Kosovës në qytetet e Serbisë, e ka paralajmëruar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si kundërmasë për ndalimin që ka vendosur Qeveria e Kosovës. Javën e shkuar, disa qytetarë të veriut të vendit vaksinën e kanë marrë në Rashkë, ndërkohë Vuçiqi ka paralajmëruar se në dispozicion do të jenë edhe shtëpitë e shëndetit në Bujanovc dhe Vranjë.

Në fakt, Serbia kishte sjell disa doza të vaksinës anti-COVID-19 në Mitrovicë të Veriut në fund të dhjetorit, por pas reagimit të institucioneve të Kosovës, procesi u ndalua. Për këtë çështje, inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë të mërkurën ka bastisur edhe shtëpinë e shëndetit në Shtërpcë, në kërkim të vaksinave ilegale të sjella nga Serbia.