Gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, ka thënë se partitë politike kanë dështuar të mbajnë integritetin në listat e kandidatëve për deputetë. Sipas saj, shifrat e larta të kandidatëve që janë me aktakuza tregon se secila parti ka grupacione të cilat i fut nëpër lista si tendencë për të mbajtur të bashkuar partinë.
Në Deskun e KOHËS, ajo ka renditur disa prej emrave të akuzuar apo të dënuar, nga secila listë e partive që i kanë hyrë garës së 14 shkurtit.
Ka nisur me listën e anëtarëve të Komisionit për verifikim të aplikimeve të veteranëve, që të martën u shpallën të gjithë të pafajshëm. Shumica e tyre janë nga PDK-ja dhe AAK-ja. Nga Vetëvendosje ka përmendur Mimoza Kusari-Lilën, ish-ministren që është e akuzuar për rastin e hidrocentraleve. Në LDK ka përmendur ish-kryetarin e Suharekës Sali Asllanaj. Për AAK-në ka thënë se ka më së shumti kandidatë që janë të akuzuar për korrupsion. Edhe Nisma hyn në mesin e partive me kandidatë për deputetë, e që janë të akuzuar.
“Duket se disa prej tyre janë njerëz që votohen apo kanë ndikim në mbledhjen e votave, por ka edhe të tillë që s’janë provuar se mund të sjellin vota. Në AAK harrova Meliza Haradinaj-Stublla që është në proces të rigjykimit. Është hera e parë që futet në listë e s’ka dëshmi se ajo mund t’i sjellë vota AAK-së. Kur jemi te integriteti, sa ishte duke u diskutuar për amendamentimin e Kodit të Procedurës Penale, ministri Selim Selimi, nga partia e njëjtë si Haradinaj-Stublla, AAK-ja, kishte thënë se po rrisim integritetin në një nivel më të madh se shtetet e rajonit, që vetëm kur të nisin hetimet dhe ka aktvendim për hetime apo aktakuza, të lirohen nga detyra zyrtarët dhe shërbyesit civilë. Megjithatë, një standard i tillë s’po mbahet nga vetë partitë. Secila duket se ka grupacione që shohin si tendencë për ta mbajtur të bashkuar partinë duke i futur në listë edhe pse integriteti i tyre është i cenuar”, ka thënë ajo.