Arbëri

Lidhja e liderit të ri të CDU-së me Kosovën

Foto: AP

Armin Laschet, që të shtunën u zgjodh kryetar i ri i partisë konservatore gjermane (CDU), partisë së kancelares Angela Merkel, është i njohur për qëndrimet e tij ndaj Kosovës.

Ai kishte kundërshtuar ashpër qëndrimin e politikanit gjerman Thilo Sarrazin që kishte thënë se turqit po e pushtojnë Gjermaninë me natalitet të lartë si kosovarët Kosovën. Laschet kishte hedhur poshtë këtë tezë duke thënë se është “mendësi e Millosheviqit”.

“Historia e Kosovës është pak më e ndërlikuar. Kjo (çfarë thotë Sarrazin) është mendësia e diktatorit Millosheviq, i cili kështu e ka arsyetuar politikën e tij agresive serbomadhe. Konflikti i Kosovës nuk ka shpërthyer për shkak të natalitetit, por buron nga fjalimi i Millosheviqit në Fushë-Kosovë më 1989. Me atë fjalim ai e mbuloi Ballkanin me luftë e dëbime”.

Po ashtu, Laschet e kishte mbrojtur ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

“Në konfliktin e Kosovës Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ka qenë i aftë për të marrë vendim dhe megjithatë është vepruar”, kishte thënë ai.

Laschet e ka dekoruar qytetarin Harald Meurer për themelimin e një organizate, e cila më 1999 ka tubuar para për viktimat e luftës në Kosovë.