Kabineti qeveritar është detyruar ta mbajë me korrespodencë një mbledhje të enjten, pasi këtë ditë Sekretariati Koordinues i Qeverisë ka refuzuar t’ia organizojë atë.
Punonjësit e këtij dikasteri në Zyrën e Kryeministrit kanë hyrë në grevë, pasi konsiderojnë të jenë viktimë e hakmarrjes politike nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, dhe nga zëvendëskryeministri në detyrë, Driton Selmanaj.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMe Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës, të firmosur nga Hoti, shumë pozita të Sekretariatit janë shuar.
Në kushte anonimiteti, punonjës që ndodhen në grevë kanë treguar motivin e goditjes së Sekretariatit.
“Sekretariati ka mandat që të ofrojë mbështetje administrative të Këshillit për Pozita të Larta Drejtuese dhe Komisionin për Hetimin e Performancës. Me rastin e ndërrimit të disa anëtarëve në borde dhe gjatë vlerësimit të pozitave të sekretarëve të përhershëm, ne nuk u jemi bindur orientimeve që na kanë ardhur nga z. Selmanaj dhe jemi parë si pengesë për akomodimin e militantëve partiakë. Pas kësaj ka nisur hakmarrja”,ka thënë burimi në Sekretariatin koordinues të Qeverisë.
Sipas grevistëve, politika u është hakmarrë duke ndryshuar draftin e Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës, të cilin e kishte hartuar një grup pune i themeluar më 15 qershor të vitit të shkuar. Versioni i ndryshuar ka prekur strukturën dhe shumë vende pune.
“Projekt-rregullorja për të cilën kërkohej miratimi ishte substancialisht e ndryshme nga ajo që ishte punuar nga grupi punues, dhe dyshimet janë se z. Selmanaj në mënyrë arbitrare ndërhyri në tekstin e Rregullores dhe e falsifikoi atë. Me këto ndryshime janë krijuar divizione të reja, përderisa 9 zyrtarë kanë përfunduar pa vend pune”, shtoi burimi në Sekretariat.
Të tillave pretendime nuk u janë kundërpërgjigjur në Qeveri. KOHA ka adresuar pyetje tek Kabineti i kryeministrit në detyrë dhe te Selmanaj, por kanë munguar përgjigjet.
Megjithëkëtë, në një paraqitje publike Hoti ka folur për grevistët.
“Unë u kam mundësuar atyre që ne të bëjmë një komision të pavarur, i cili do të analizojë kërkesat e tyre dhe nëse kërkesat e tyre rekomandohen nga ky komision i pavarur, ne mund të shkojmë në proces të plotësim-ndryshimit të rregullores”, ka deklaruar Hoti.
Por grevistët këmbëngulin që rregullorja të shfuqizohet në tërësi. Ata i reaguan Hotit, i cili tha të jenë në grevë vetëm disa zyrtarë.
Sipas një reagimi të tyre adresuar mediave, në grevë është gjysma e stafit të punësuar në Zyrën e Kryeministrit. Aty është theksuar edhe fakti se, shkaku i grevës, mbledhja e mbrëmshme e Qeverisë është përgatitur dhe vendimet e saj janë publikuar nga persona të paautorizuar.