Arbëri

Hoti: Integrimi i FSK-së është hap i madh në rrugën euroatlantike

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka vizituar pjesëtarët e FSK-së në kazermën “Adem Jashari”. Këtë vizitë Hoti e bërë një ditë pasi Kuvendi i Kosovës votoi pro dërgimit të kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Hoti deklaroi se vendimi i së martës është historik që mundëson integrimin e plotë të FSK-së në strukturat euroatlantike. Integrimin tutje të FSK-së e ka quajtur si hap të madh në rrugën euroatlantike.

“Nganjëherë për vendime të tilla duhet ndoshta një distancë e caktuar kohore për të kuptuar plotësisht sa të rëndësishme janë. Vendimi që ka marrë dje Kuvendi i Kosovës është ndër hapat më të mëdhenj historikisht që kemi bërë si shtet dhe se FSK drejt integrimit të plotë të FSK-së në strukturat euroatlantike, është ëndërr e jona. Besoj që vetëm njerëzit, qytetarët dhe liderët tepër vizionar kanë pasur mundësi për ta parashikuar atëherë kur është themeluar ushtria e Republikës së Kosovës, Forca e Sigurisë se Kosovës, në rrethanat e asaj kohe kur është dizajnuar është parashikuar që shteti i Kosovës të jetë pjesë dhe te integrohet plotësisht në strukturat euroatlantike”, ka thënë Hoti.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, ka thënë se përformanca e ushtarëve të FSK-së brenda dhe jashtë vendit, kanë bërë që të fitohet besimi i partnerëve se ushtarët e Kosovës mund t’i kryejnë detyrat.

“Besimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit tonë të natyrshëm e shton edhe më shumë nderin e kësaj të arriture historike. Ne me forcat amerikane jemi ndjerë gjithmonë një, tani me forcat amerikane përveç zemrave dhe mendjeve do t’i kemi një edhe trupat e armët tona në misione të shenjta në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit për mbarë njerëzimit, ky është misioni ynë drejt vizionit tonë për integrim në NATO”, ka deklaruar Quni.

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në mars te këtij viti do të nisin masonin e parë paqeruajtës në botë. Ata do të jenë përkrah Gardës Kombëtare të Iowa-s.