6 perditesime
21:21

Gashi: VV-ja s’po e kandidon Kurtin shkaku i dilemës rreth dënimit të tij

Gazetari i KOHËS Fitim Gashi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po vonon me publikimin e listës zgjedhore për shkak të dilemës për dënimin e Albin Kurtit, kur i ishte bërë për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

“Dilema është për dënimin e Kurtit sepse mund t’i pamundësohet garimi edhe pse zyrtarë thonë se dënimi i tij është alternativ por nëse e shohim aktgjykimin e gjykatës shohim se i jep goxha rëndësi integritetit të Kuvendit, kështu që nuk bën dallime në dënim. Kjo ndërlidhet edhe me publikimin e listave. VV është duke u rezervuar dhe po ka shumë pak sqarime nga ta se pse nuk po zyrtarizohet ende Kurti. Momenti kryesor që pritet është publikimi i aktgjykimit”, tha ai në DESKU të KTV-së.

Gashi tha se do të ketë ndikim në LVV nëse Kurti nuk do të mund të garojë, megjithatë shton se nuk pamundësohet edhe gara e tij për kryeministër.

“Kjo sigurisht do kishte ndikim edhe pamundësia për deputet nuk ia pamundëson garën për kryeministër dhe nuk ja ndalon as udhëheqjen në fushatë. Do ishte me rëndësi të shihet se kush do jetë prijësi i listës”, tha ai.

21:14

Salihu: Qeverisja lokale funksionon shumë më mirë se ajo nacionale

Analisti Bekim Salihu në emisionin Desku në KTV ka thënë se qeverisja lokale funksionon shumë më mirë se ajo nacionale.

Salihu thotë se për demokracinë është e shëndetshme që të ketë zgjedhje.

“Në një moment ku Kuvendi nuk mund të funksionojë si rezultat i polarizimeve atëherë ilaçi janë zgjedhjet”, ka thënë Salihu.

Ai ka treguar se pse qeverisja lokale është më efikase se ajo nacionale.

“Kemi arritur t’i evidentojmë defektet kryesore në sistem. Instituti GAP ka konstatuar se qeverisja lokale funksionon shumë më mirë se ajo nacionale, dhe kjo ka ardhur për shkak se pushteti është koncentruar te kryetari i Komunës dhe ai me Kuvendin Komunal ka bashkëpunim, por nuk mund të ketë bllokim në raport me kryetarin. Kjo praktikë ose një model i tillë do të mund të ndiqej edhe në nivel nacional. Sistemi parlamentar derivon nga sistemi elektoral”, ka thënë ai.

Derisa gazetari Fitim Gashi pret që pandemia të vështirësojë edhe më tepër zgjedhjet.

“KQZ-ja gjithmonë deklarohen se janë gjithmonë të gatshëm. Problemet kanë ndodhur pas procesit të zgjedhjeve”, ka thënë Gashi.

20:59

Salihu: Kandidati që do ta propozojë LDK-ja për kryeministër do të lëvizë votat për këtë parti

Analisti politik Bekim Salihu ka thënë se qeveria e cila do të zgjedhet vitin e ardhshëm do të formohet më shpejt, menjëherë pas zgjedhjeve.

Ai thotë se është e pritshme që AAK-ja të mos e kandidojë Ramush Haradinajn si kryeministër për shkak të deklaratave publike për postin e presidentit.

Sipas Salihut, këto zgjedhje janë mundësi që LDK-ja ta bëjë kthesën e saj me një emër “që nuk është i kontestueshëm si vlerë në opinion”.

“Është e pritshme që Haradinaj të mos jetë kandidat për kryeministër, ka figura të tjera që mund të dalin, mund ta shfrytëzojë figurën e Besnik Tahirit. Nuk mund të pritet që një kandidat i AAK-së të dalë të fitojë pozitën e kryeministrit. Ajo që është e befasishme është me cilin kandidat do dalë LDK-ja dhe mendoj se këto do lëvizin përqindjet dhe votat që do marrë kjo parti. Sepse LDK-ja duhet të dalë me një emër që nuk është i kontestueshëm si vlerë në opinion. Nuk mund të aludoj në emra që janë të sprovuar tash e 20 vjet. Është momenti që LDK-ja ta bëjë kthesën, nëse del pohimi i saktë që Lumir Abdixhiku është në mesin e kandidatëve, mendoj se kjo është kthesë interesante për këtë parti duke e rrezikuar edhe PDK-në që të dalë në vend të saj”, tha ai.

Salihu thotë se jetëgjatësia e qeverisë së re do të shihet nga roli që do ta luaj partia që jep emrin për presidentin, teksa thotë se VV-ja në këtë aspekt duhet të tregohet më fleksibile.

“Esenca është që do ta formojë një qeveri sa më shpejt por sa do jetë jetëgjatë do shihet nga partia që do ta luaj rolin me emrin presidenti. VV-ja duhet të tregohet shumë më fleksibile, të bisedoj për kritere e jo për subjekte, të mos thotë presidenti më takon mua”, tha ai.

20:45

Gashi: Nuk ka vija të kuqe, s’përjashtohet asnjë koalicion

Gazetari i Kohës Ditore, Fitim Gashi, në emisionin Desku në KTV ka thënë se risia e këtyre zgjedhjeve është heqja e vijave të kuqe, dhe për këtë ai nuk përjashton asnjë koalicion që mund të ndodhë.

“Edhe pse ende nuk ka nisur fushata zgjedhore risia është heqja e vijave të kuqe. Tash nuk është se ka ndonjë disponim të madh por rezultati i zgjedhjeve do të prodhojë një rezultat të tillë. Kurti problemin më të madh e ka pasur me Thaçin për shkak se sipas tij PDK-ja nuk po arrin me e bo shkëputjen, prerjen nga lidershipi i Thaçit. Aktualisht po shohim se nuk ka vija të kuqe, dhe në bazë të disponimit që kanë partitë politike nuk përjashtohet asnjë koalicion”, ka thënë Gashi.

E sipas tij një koalicion i mundshëm është edhe ndërmjet Vetëvendosjes dhe AAK-së.

Gashi ka thënë se rregullat e lojës do t’i caktojë partia fituese pasi do të diskutohet edhe për presidentin dhe për kreun e Kuvendit.

20:41

Salihu: Osmani, më e goditura nga zgjedhjet e reja

Kryeparlamentarja dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, do të jetë më e goditura politikisht nga zgjedhjet e parakohshme, ka thënë analisti politik Bekim Salihu në Deskun e KOHËS.

Sipas tij, ajo, pas përjashtimit nga pozitat kryesore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk ka arritur të konsolidohet politikisht me listën të cilën planifikon ta ketë të gatshme për zgjedhjet e reja.

Ai ka thënë se e ardhmja politike e Osmanit do të përcaktohet nga periudha e shkurtër që është ofruar për organizim të zgjedhjeve të reja.

“Më e goditura nga këto zgjedhje do të jetë Vjosa Osmani, pasi s’ka pasur kohë për t’u konsoliduar politikisht. Afati kohor i shkurtër për zgjedhje është hendikap për Osmanin. S’ka strukturë të shtrirë. Do të jetë në pozicion të palakmueshëm politik. E ardhmja e saj politike do të jetë e përcaktuar nga kjo periudhë kohore sepse s’do të mund as ta konsolidojë subjektin e as ta tërheqë fuqinë politike përmes saj. Më e goditura konsideroj se do të jetë ajo. S’pres që ajo të dalë me listë të pavarur nga subjektet tjera sepse i duhet shtrirje strukturash e konsolidim, e fushatë të cilën e pamë se e bëri në Shqipëri”, ka thënë Salihu.

Sipas tij, goditje të madhe do të pësojë edhe LDK-ja, që pret se nga partia e dytë, të dalë në të tretën.

20:39

Gashi: Nuk përjashtohet mundësia të arrihet ndonjë koalicion minutave të fundit

Fitim Gashi, reporter i lartë i KOHËS derisa ka folur lidhur me sondazhet e partive politike, ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që të arrihet ndonjë koalicion minutave të fundit. Ai thotë se bazuar në sondazhe partitë shpesh janë tërhequr nga partia e cila ka dalë e para në sonadazhe dhe i janë bashkuar atij subjekti.

“Ka pasë disa sondazhe në vitin 2017 që e nxirrnin LDK-në fituese dhe më pas filluan edhe koalicionet minutat e fundit. Nuk përjashtohen mundësitë edhe tash që partitë momentet e fundit të ndodhë ndonjë koalicion që jo ndoshta ta përmbysë rezultatin por të ndikojë në shifrat”, ka thënë ai.

Sa i përket sondazhit të djeshëm i cili nxori si parti të parë LVV-në, Gashi thotë se mangësia kryesore e tij ishte që nuk përfshinte edhe Vjosa Osmanin.

“Problemi kryesor është që nuk është përshi lista e Vjosa osmanit. Ky është defekti kryesor dhe partitë tjera nuk e pranojnë dhe nuk e pranojnë sepse nuk kanë qëndrim për koalicione”, tha ai.

Ndërkaq, sa i përket një liste me emra në krye me Vjosa Osmanin, Gashi thotë se paralajmërimet janë që një gjë e tillë të ndodhë dhe bashkë me VV-në të hyjnë bashkë në garë zgjedhore.

“Paralajmërimet është që ajo ta formojë një listë dhe ajo të bashkohet me LVV. Ka emra të tjerë që janë të pakënaqur por nuk janë që kanë dhënë qëndrime publikisht që t’i bashkohen kësaj liste. Ideja është që me VV të regjistrohet me një listë të përbashkët dhe të garojnë”, përfundoi ai.

20:21

Salihu: Vendimi i Kushtetueses shpërfaqi moskoordinimin ndërinstitucional, Qeveria Hoti ishte e paqëndrueshme

Bekim Salihu, drejtues i lartë në institutin GAP, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shpallur të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi për formimin e Qeverisë Hoti dhe dërgimi i vendit në zgjedhje të parakohshme, nuk i ka shokuar partitë në vend.

Sipas tij, partitë tashmë ishin të vetëdijshme se paqëndrueshmëria e koalicionit qeverisës po çonte vendin drejt zgjedhjeve.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të interpretohet në dy elemente. E para me faktin që Qeveria Hoti është fare e paqëndrueshme, dhe shpallja e zgjedhjeve në këtë periudhë ndonëse s’ishte vendim i pritur, por nuk i ka shokuar aq shumë partitë. Vendimi ka mundur edhe t’i befasojë sepse s’ishte e pritshëm që vendi të shkojë në zgjedhje me vendim të Kushtetueses, por ishte e pritshme që vendi të shkonte në zgjedhje për shkak të lëkundjes së koalicionit. Po ashtu, LDK-ja, që ishte bartëse e koalicionit, s’arrinte të mbante një tryezë për unifikim të qëndrimit për president. S’mund të mbante asnjë tryezë e lëre më të nxirrte një emër. Ky zhvillim politik konsideroj se ka bërë që zgjedhjet tani të shihen si opsion i shpejtë, ndonëse prapëseprapë shihej si opsion në horizont. Elementi i dytë ka të bëjë me faktin që Kushtetuesja e ka vendosur një standard që nuk do të lejojë më tutje që pjesë e Kuvendit të jenë persona me të kaluar që kanë rënë ndesh me ligjin”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.

Salihu ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka shpërfaqur mungesën e seriozitetit dhe koordinimit ndërinstitucional.

“Ka interpretime të ndryshme dhe partitë mundohen t’i japin kahe të ndryshme. Mendoj se duhet pritet definimin e plotë të Kushtetueses rreth kësaj çështje. Shikuar në prizmin e tanishëm është e qartë se personat dënohen me vendim të plotfuqishëm në shkallën e dytë nuk mund të futen në listat zgjedhore dhe mendoj se është standard i pranueshëm dhe duhet të respektohet nga partitë politike. Vendimi i Gjykatës ka shpërfaqur një mungesë të seriozitetit, bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në lidhje me pastrimin e listave zgjedhore”, ka thënë Salihu.

Ai ka shtuar se një vendim i Gjykatës Supreme ia ka pamundësuar KQZ-së të përjashtojë nga lista personat të cilët potencialisht kanë probleme me ligjin.

“Dhe Gjykata Kushtetuese në këtë rast ka konstatuar se vendimi i Gjykatës Supreme është i jashtëligjshëm, dhe ky vendim do të thotë ka prodhuar pasoja të një pas njëshme duke çuar ato pasoja edhe në KQZ e edhe në Këshillin Gjyqësor dhe në Kuvend. Konsideroj se Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një pasojë juridike te rasti i deputetit Arifi për faktin se Qeveria Hoti kishte pasur 61 vota. Pasi sikur Qeveria Hoti të kishte 62 vota atëherë vetëm deputetit do t’i humbte mandati”, ka thënë Salihu.